Ç’e madhe dritë në syt’ e tu!


Vaso Papaj

Ta putha dorën
dhe dita dimërore m’u bë pranverë.
Zbathur, sandalet me rripa,
s’do t’i harroj asnjëherë.
Me sari* mbështjellur,
si deti bardhë me dallgë blu,
ç’e madhe dritë në syt’ e tu,
ke mbetur përgjithmon kështu.

Dhe u betova: të mbetem shërbëtor.
Në çdo fat tjetër,
s’do t’isha veç një gazëtor.
Zot! Mos qofsha kurrë një spektator!…

Tretet Migjeni, atje, në shesh. S’e fsheh.
S’duron hipokrizi, po buzëqesh.
Lum kush e sheh!

Ndaj dorën tënde putha sot,
sandale, rripa – burgu im.
Në det të bardhë u zhyta not,
me dallgët blu në përqafim.

E le të ngrihen plot shtatore, të ftohta,
me çfarëdo emër.
Ty do të mbaj, fshehur nga bota
Shenjtorja ime, do të mbaj në zemër.

• sari – veshje e misionareve të Nënë Terezës.

About Post Author