Ç’po ndodh kështu???Namik Selmani


1.

Ç’po ndodh kështu?

Po thotë ky trup që dridhet si gjethja në shelgjishte.

Paska ikur hiri

E kuqëlima ka dalë sërish e prushtë, e ndezur

Të dua, thashë

Ndërsa korriku jepte të falat e fundit në ikje.

Ndërsa mollët

Ende qëndronin në degë për dasmorët e dehur.

2.

Të dua, thashë

E kalorësit kthyen kokën në ecje, të çuditur.

Ç’është ky zë

që po më godet aq fort me kamxhikun e ëmbël?

Mos më thuaj, moos,

Se nuk është gotë kjo që prek me dorën e djersitur

Të lutem,

Mos më thuaj se nuk qenkam mbretëresha në ëndërr.

3.

Ah, që s’ka gojë

Ky çarçf i bardhë, i qëndisur, i zhubrosur!

Ka parfum francez

Po më duket se duhet ndërruar patjetër.

Ç’ditë është sot,

I thoja kalendarit tek ndiqja hënën e hirnosur?

Ku është udha?

I thoja policit që shtrëngonte gotën e verës së vjetër

4.

Të dua, thashë

E gjeta symbyllaz shtegun e një xhungle turravrape.

E flamurin e fjalës

E valëvita si fëmijë a si flamurtare e lumtur.

O,

Mos më merrni si të dehur, të marrë a si një lolo shekspiriane!

Në të njëjtën kohë

Jam në tokë, në det a në qiellin me re të purpur

5.

Vallë,

Mos po më ngatërrohen emrat e luleve dhe të drurëve të pyllit?

Ku janë cicëronët

Të më tregojnë Luvret e mia, telajot me mbretër?

Të më tregojnë

Një Hiroshimë të dytë që digjet mes nesh me dritë ylli.

Të më rrëfejnë

burimin ku të njom e etur buzën e rreshkët.

6.

E s’munda një çast

Numrat m’u ngatërruan me shkronjat mbi fletë.

Ku është Profesori

Të më tregojë para fytyrëskuqjes gabimin?

Dritaret mbyllur janë

Po që larg më vjen një frymë qiellore, e shenjtë.

E unë

S’ia ndal dot vrullin përkëdheljes, përqafimit.

7.

E fsheha pak gjirin,

Mëmësia kërkonte në ato çast vajzërinë çapkëne.

Mbase

Një lojë gazmore fëmijësh kur luanim “Dasmash”

Oh,

Urbanët e mallkuar nuk kanë ecur këmbëzbathur pas një ëndrre.

E avionët

tani na shohin të kërrusur pas një valixheje me plaçka.

8.

Mbase

Duhet vënë në flokë një fjongo kalterore.

Duhet ndërruar kjo botë

Që na ka bërë të gjithëve një lloj si hamallët modernë.

Të dua, thashë

E s’munda të shoh veten në pasqyrë se si regëtinte qerpiku

Me pëlhurën e një mjegulle

Ecja në udhëkryqe si Diogjen a si Hamlet.

9.

Të dua, thashë…..