Dashnor Kokonozi:Do të heq ca!


Dashnor Kokonozi

Marre nga facebook

Kam filluar ta njoh më mirë popullin e fb-së. Nuk është aspak ai që kujtojmë, ai i jetës së përditshme. Në të vërtetë ai është, por fb-ja zbulon gjëra më të thella të personalitetit të tiij, të cilat ai i shpreh duke menduar se është mjaft më i mbrojtur aty ku është, pas ekranit të smartfonit të tij.

Sot dua të ndaj veç ata që kërcënojnë hapur e me zë të lartë se kanë hequr apo do të heqin ca miq. Një shkrimtar thoshte se do të hiqte të gjithë ata që sipas tij nuk i blinin librat, ndërkohë që i mbushnin numerus clausus, 5000. Duke hequr joblersit, që nuk e meritonin shoqërinë e tij, shpresonte se mund të shtonte miq ekonomikisht më të gratshëm !

Të kuptohemi. Nëse ky është rasti ekstrem, mendoj se është e drejtë e gjithkujt të shmangë a heqë emra a profile që nuk i përgjigjen interesave të tij, nuk rrahin mendime në fushë të njëjtë, që nuk i përkasin të njëjtës kahje politike (edhe pse kjo duhet kapercyer për të dale nê terren interesash të përbashkëta), që nuk pëlqehen, shkurt. Se flitet shumë për dashuri me shikim të parë, por rrallë për urrejtje me këmbim të parë.

Kushedi ku do jenë kryqëzuar diku genet e të parve të tyre!

Por kjo mënyrë të bëri me këngë majëkrahi, ky paralajmërim ekzekutimi publik, më impresionon!

Do të heq ca!

Jam i kënaqur që deri tani nuk kam vënë re që një gjest të tillë teatral, ta bëjnë njerëz që vlerësoj.

Përfundimi?

Më duket se veç të tjerave fb-ja (përpos atij personazhit anekdotik i U. Eco-s), u jep mundësi shumë vetëve të identifikohen duke tundur një jatagan që dikush ua ka lënë në dorë, dikush që është nisur nga parimi se të gjithë njerzit lindin me mend.

(Dhe ja, në fund të fundit, prapë dalim te Eco)

Gjithsesi unë e shoh edhe një lloj eksperimenti social me personazhe reale dhe madhësi natyrore për te kuptuar thelbin e njeriut kur të jepet sadopak pushtet.

Autoritarizmi është në stacionin pasardhës.

About Post Author