Dashuria e Hoxhës-Eva Gjoni


Eva Gjoni

Dashuria e Hoxhës


Ana ishte ulur në ballkonin e shtëpisë së saj në plazh, po pinte kafen e mbasdites. Gjendej në atë perëndim me ngjyra mahnitëse  që vinin nga vija e lagësht e horizontit. Drita thyhej aq ëmbël dhe ti ndihesh si një zanë, do të kesh krahë fluturues, të marrësh ngjyrën e qiellit, ngrohtësinë e mbrëmjes dhe qetësinë e detit.
Ana mendonte se kjo pamje e bën shpirtin të dëshirojë atë lloj drithërime që jep dashuria. Është në një gjendje vunerabel.Era e detit përplaset me erën e tokës mbi trupin e saj, duke  i krijuar një  ndjesi fluide të cilën ajo e përjetonte çdo pranverë kur vinin pranë detit. Në ato momente nuk e kishte në kontroll trupin, çliroheshin ndjesi të grumbulluara dhe hynin gjendje të reja. Ishte një ripërtëritje. Vetëm aty besonte se trupi i  tejshkohej, i mbështillej nga energji që nuk e njihte por që përcaktonte atë që ajo ishte. 
Në këtë përjetim ishte kur ju kujtua një shkrim që kishte lexuar shumë vite më parë. I pati mbetur në mendje. Ishte një prozë e shkurtër e botuar në një gazetë. Në atë kohë lexonte shumë në shtypin e shkruar, por më pas e kishte lënë mënjanë, ishte lodhur me shkrime politike e kronika të zymta.
Por ai shkrim ishte diçka tjetër. Fliste për një zonjë të moshuar fisnike në qenien dhe pamjen e saj. Ajo tregonte shumë vëmendje për dukjen, kishte feminitet në menyrën e të folurit, veshja e saj ishte e veçantë,  tregonte më së miri brendësinë e saj.
Kishte shumë klas tek ajo grua!
Jetonte në botën e saj diskrete. Fëmijët ishin larguar duke  ndërtuar jetët e tyre.
Ajo gjithmonë shëtiste e vetme, por në sytë e saj nuk kishte asnjëherë trishtim, vetmija e saj ishte plotë jetë. Gjithmonë e buzëqeshur i shikohej qartë ajo ndjenjë lumturie që mbarte në vete, e qetë në paqe, nuk kishte tensione, ankthe, frikë të viteve mbi shpinë,  të ditëve që jetonte vetëm.
Në shtëpinë e saj asnjëherë nuk mungonin lulet, çdo orendi, perdet, kolltukët ishin me ngjyra të çelura, ambjenti ishte me shumë dritë. Aty në çdo stinë ndiheshe se ishe në një shtëpi pushimi buzë detit . 
Por koha ikën dhe jeta e saj dikur u shua.
Në qytezën ku jetonte në respekt të saj miqtë  u morën me përgatitjen e përcjelljes në atë botën tjetër, ku askush nuk e di se çfarë të pret. Si në çdo ceremoni për lutjet e fundit ishte dhe hoxha i qytezës, njeri fjalëpak.
Ai dukej i lodhur me sytë të vrarë, ndoshta nata nuk kishte qenë e mirë për të, mosha e rëndonte më shumë.
Gjatë lutjeve kishte momente që zeri i shuhej, ndalonte pak sa thua nuk po merrte frymë.
Pastaj i jepte forcë vetes dhe vazhdonte dhimbshëm me fjalët si pikëllimi i qyqeve gjatë netëve me shi.
Të pranishmit e ndiqnin me vëmendje, lutjet e tij dukeshin si një vajtim shpirti që çirret nga pamundësia për tu dëgjuar, ndaj kjo i bënte të rënqetheshin.
Një djalë i ri që sapo ishte kthyer nga studimet për gjuhën arabe kur degjoi lutjet në fillim shtangu, rrëshqiti mes turmës dhe u ndal pranë hoxhës për ta dëgjuar më mirë. Nga çfarë degjoi filloj t’i dridheshin duart dhe sytë i’u mbushën me lot. Mbas ceremonisë ai ju afrua hoxhës dhe i foli arabisht. 
Hoxha e pa i habitur, ngaqë nuk besonte se dikush do i zbulonte fjalët e tij. Si, ti i kuptove të gjitha çfarë thash! Po i tha djali dhe dëgjova historinë më të bukur të dashurisë në jetën time. 
Pashë dhimbjen më të madhe të humbjes së njeriut të dashur dhe kuptova përse ajo zonjë nuk u plak kurrë.
Ajo ishte e mbushur me atë lloj dashurie që ju mbartnit për njëri-tjetrin, shpirti i saj jetonte çdo çast.
Ajo nuk ishte vetem, ishte e lumtur,  numërimi i viteve nuk kishin kuptim. Priste me padurim mëngjeset të ishte pranë njeriut të saj.Jeta  për të ishte vetëm zgjim, fillim dite, për të jetuar cdo çast me të.
Hoxha dhe zonja ishin dashuruar për vite në heshje. E ndjenin praninë e njeri tjetrit kudo,  ishte dashuria e tyre e madhe dhe nuk i përkiste askujt.
Këtë po mendonte Ana, brenda saj ishte e lëngshme e vakët, e butë dhe e qetë. Shpirti i ndihej mirë, nuk ishte i ngurtë, as i ftohtë, s’kishte thepa që të shpojnë. Ana mbaroi kafenë dhe u fut brenda, kishte nevojë të hidhte diçka krahëve.