Dashuria nuk ka vdekur


Vaso Papaj

Kur përgjumem bashkë me ty
Dhe n’agim, rrezja e diellit
Me frymë pleksur, nis e fryn,
Ndonëse vjen tek unë e mekur,
I them vetes pa mëdyshje:
Dashuria, jo,… s’ka vdekur.

Le të endet brenda meje
Pamëdyshja, sa të dojë,
Të zerë prita dhe ndër deje,
Këtë herë unë nuk gaboj.
Pamëdyshjen le mënjanë,
Veç me ty pa fund të rroj.

Heshtja rri gjithmonë pas derës.
Është aty, troket gojëhapur,
Gati të gëlltisë dhe njerëz.
Belbëzon, s’më le të flas,
Do që unë t’harroj vetveten,
Rrugën time ta humbas:

Që të dua me çdo kusht,
(Mos i ngjaj si në përallë,
Dhelprës së njohur me rrushtë.)
Që të dua në çdo çast,
Qofsha edhe pranë së keqes,
Që na merr frymën përqark.

Ndaj, përgjumur në agim,
Po ajo rreze më jep frymë,…
Oh,… sa shumë më fal gëzim.
E në ardhtë prapë edhe e mekur,
Vetes do t’i them zë plotë:
Dashuria, jo,… s’ka vdekur. 

About Post Author