“Dasma e kulakut”-Gëzim Llojdia


Parathënie.

…Kudo, që shkova ishte krahina jonë. Shkova në verë. Unë jam një dëshmitar. Ose marr pjesë,me dëshminë time,por dhe nuk e di pse…Do xhiroja një dokumentar për fshatin tonë.Ai shtrihej atje.Me shtëpitë nën hije të bajameve. Qepët e bëra prush. Nga shiu i verës. Fjongo e përdredhur përmbi lastar .Prerë nga tehu i mprehtë i një gërshërë. Shikoj ngrehinat. I ka mbuluar grija. Dyer të kyçura.Plloca rënë.Gardhe rrëzuar.Mullar të kalbur.Të gjitha gjërat janë kalimtare,thonë të diturit,por vuajtjet e asaj kohe mbeten të përjetshme. Frymëmarrja e këtij fshati ka vdekur,ose në prag të saj.

-Fshati ka ikur, më thotë operatori.Mbetur 5-6 familje.Fshati iku pas viteve 90. Ngrehinat janë këtu. Fshati ynë në rrëzë të malit.”Fshat e zanat”.Fshehur nga hijezimi. Shkundin pikëllimin e madh Askush nuk mund të shihte kohët e shkuara. Brenda tyre.Duke kërcyer bardh e zi, në një kohë copë-copë,duke jetuar…Mbaj mend. Duke parë yjet e verës, e di fare mirë ç’tregojnë ato! Nëse do të vdisnin,të gjithë yjet. Atëherë?Gjë, që s’bën vaki. Por jeta jonë, ashtu ishte. Atje poshtë mes shtëpive me mullaga. Mullarëve të barit, harlijses së jonxhishtes,gjembave të trëndafilit shkuan, jetët tona .Ai grumbulli në qendër. Ishte spitali.Shkolla e bardhë në kodër. Lapidari i dëshmorit.”Fshati ynë një dëshmorë/ o vendi heronjve…këndonte rrugëve të tij, çmendaraku Mako.

Vatra e kulturës. Përsipër shkruar citati i Naim beut:”Dhe drita e diturës përpara do të na shpjerë”. Shtëpitë me gurë.Varrezat në Gjohelm.Citati i shkruar në gur:”Kush hynë këtu, më s’ka për të shpresuar…D.

Klithma dhe kuja,për dhimbjen,që se tret. Më ngjallen para syve vdekjet e trishta.Ora:U largua papritmas në një ditë të ndritshme vere. Meqë askush nuk është kthyer nga ajo rrugë e largët.

Më tej koçekët e misrit.Parulla:”Lufta për bukën-luftë për socializmin”.Depot e rezervave. Si observator. SMT-ja.Dhe një citat i fshirë:”Çaje traktorist fushën si rrufe…”

Këtu u luajtën jetët tona .Si një film bardhë e zi. Eh kjo jeta …!Ku është Gazjet Gërnjari?Ai që përgjonte pas mullagave të oborrit,kulakun. E kapi komshiu.

-Ç’bënë këtu more?

-Po vëzhgojë kulakun!

-Turp, të kesh njerëz janë edhe ata!

-Eh or ti, i tha ai, “kulaku qep pantallona pa leje” .

…Po më kanë thënë se Dëboraku i Sabiresë, emigrant në Kanada,dihej!

Dëboraku fuksi, ai që prishi dasmën.

Kujt? Kulakut pra.Ah ,ai ishte,po po ai.

Kur vdiq i ati i kulakut, Dëboraku bërtiste nëpër fshat:E morët vesh ,një kulak më pak…

Gjaku i thith lulet ,që lulëzojnë në malet e tua,ka thënë një poete .Nëse të duket e çuditshme të vajtosh një kohë, kujto një vegim. A të vjen ndër mend :Dasma e kulakut…?Atë që prishi Dëboraku? E dëgjoj ende ritmin e defit të çarë! Klarinetën duke qarë. Qemania. Që pikon në ndërgjegje e njerëzve,shpirtërisht të vrarë…

1.

“Dasma e kulakut”

Në 20 gusht u martua:”kulaku Diellar”.

Diellar-Diellar nxinë si katranë.- bërtiste Dëboraku .

Diellar Dërrasa kishte veshur një xhaketë të re gri.

Kthjellori kur e qethi i tha:U bëre si dhëndër Diellar,por të mungon kollarja! .

Familja e kulakut jetonte në ngrehinën e vjetër. Post-telegrafi kishte zaptuar dy kate të saj. Familjes ju shtetëzuan 600 krerë bagëti. Fatura që i la komisioni shtetëror i shtetëzimeve.”Shtresë e mesme-kulak”.

Nëse do të vizitoje malet tona. Errësira,që vishte gratë. Kishte ngrysur edhe Diellarin.

“Qen i punës”.Punët më të rënda të kooperativës. Të motrës i bleu një makinë të vjetër:”Singer”. Qepte dhe vishte grarinë e fshatit. Hije në belin e tyre.Diellari ujdiste pantallonat e djemurisë. Netëve. Nën hënën cigane,gjërat po e shohin atë,por ai nuk mund t’i shohë ato. Një gramafon i vjetër. Bënte zhurmë. Tangoja e vjetër në Paris. Copra filmash.Trëndafilat e egër,në natën e errët. Gjumin e bënte copa-copa. Gjurmë gjaku dhe gjurmë lotësh. Mbi flokët.Pikërishtë kur shuhej drita.Ngrihej hëna dhe një hije që zhdukej prapa saj.

2.

Një,mijë drita ,grisën agimin.Dielli është zot dhe lajmëtar menjëherë dhe na zbret rrezet e tij.Zbardhte dita. Shkonte mesdita. Ngrysej dita. Binte çanga .Ktheheshin loparët.Mjelset dhe stallierët.Kulakun e kishin vendosur roje.Një ditë në stinën e re,zootekniku ,një i lajthitur që thoshte se bënte shkencë e thirri kulakun dhe e urdhëroi:

-Merë një dëng me 1kv jonxhishte dhe hidhe në depo. Po bëjmë një provë .Sado të firoj në një natë,jonxha.

-Ai kuadrua ,po bënë revolucionin tekniko-shkencor? I tha Dëborak fuksi.Ja ndreq unë tha atij shtrëmbos.

Hapi derën.Mori një dëng tjetër dhe e vërviti brenda.Kulaku ju përgjërua, aman do më djegësh ,po ku dëgjonte ai.

-Ç’keti i tha ai.E bëra unë i fryrë nga Saturni.Mos u merakos, i tha. Çu bë se u shtua edhe 1 kv?Pastaj ti kulak je,kulak do mbetesh,

Në kryesi, u shpall shpikja e fundit.Ta dëgjojmë zooteknikun!

-Jonxha pasi korret hidhet në një depo dhe shton deri në 50 kg.Nuk fironte fare.E kishte peshuar pesë herë.Hodhi 1kv .Në depo u gjendën gjithsejt 1,5kv.A nuk duhet njoftuar komiteti?

-Ik ore i marrë, i thanë zooteknikut. Ke bashkëpunuar me kulakun.E thirrën në kryesi. Kryetari ju hakërrua. Fol,çfarë marifeti ke bërë? ,Dëboraka tha, hodhi një dëng tjetër, kur iku ai.

-Dorëzo çelësat i tha kryetari.Ju kulakët ,pak tu japësh dorën, të merrni krahun.Shko në kanale,atje e ke vendin.

3.

Duke parë një zog të pa arritshëm. Një ëndërr vere. Dasma. Diellari ëndërron. E gjallë dhe pulsuese .Sazexhinjtë dhe rrahja e daulleve me ritmin e zemrës së tij, që vibron. Një mëngjes qershori. Diellari bënë udhë deri te kryesia e kooperativës. Priti sa erdhi kryetari dhe tha i se në 28 korrik,kishte prerë ditën e dasmës. Pastaj si ishin rregullat e kooperativës bëhej fjalë për të marrë ushqime dhe mish si dhe makinën e kooperativës,për dasmorët.

-Prit njëherë, o Diellar,i tha kryetari, ka kërkesa të tjera para teje.

-Po dhe unë kam punuar, kaq vite në kooperativë.

-Mirë djalë mirë,po në korrik do martohet vasha e Krojzës .

-E kemi sekretare rinie. Prit këtu shiko listën. Djali i Kumbullores e kemi brigadiere, Kumbulloren.E ka djalë të vetëm erdhi nga ushtria .Do bëjë fejesën Begatori. Mbesa e Balanit ikën në Veri.Nipi i Matan magazinierit e kërkon në 28 korrik. Kështu korriku është i zënë djalë!

-Po mirë o kryetar, nuk do martohem unë!Pyeti Diellari.

-Jo mo të martohesh, por korriku është i zënë.

-Po unë, çfarë të bëjë o kryetar ?– i tha Diellari .

-Ti martohu në gushtë.

– Ja të shohim kalendarin. Nga 15-ta mbarojnë me shirjet e grurit. Kështu nga data 20, lirohemi .Bie e diel. Martohu o djalë. Mirë o kryetar.

Kryetari:Prit një minutë,të pyesim sekretarin.

-Alo Borash,ke ndonjë punë në 20 gushtë me makinën, apo t’ja japim këtij djali për dasmë?

-Jo jo. Mirë atëherë, ja të pyesim edhe kryetarin e Këshillit.

-Alo Leven ,në 20 gushtë keni ndonjë punë me makinën.

-Jo…

– Mirë atëherë, ja ku e ke shkresën .Tani, ik i tha kryetari. Dhe ulë kokën e puno,se ju kulakët…!

Me copën e letrës në dorë. Cigarja gjysmë e pirë. Prisnin kthimin e tij nga zyrat e kryesisë. La letrën përmbi një tavolinë.

-Ma dhanë më në fund tha. Gratë e përqafuan.Të trashëgohesh Diellar djali! E caktoi ditën e dasmës kryetari?

-Po kjo qenka në 20 gusht more djalë. Bzani dajua.

-Po në 20 gushtë është.

-Epo,ngriti supet,ai. Ç’të bëja unë!S’kishte në korrik .Ishin të gjitha të dielat, të zëna. Dihej .Shyqyr thuaj që na dhanë edhe këtë! Dhe shyqyr që qenka e diel.

-Po mirë o djalë .Njëqind herë,ta thamë. Në gushtë, s’ka dasma! S’martohet njeri!

-Pse s’ka o dajo?Po ç’të të thotë i ziu njeri,bërtiste dajua.

Diellari nga ana e tij.

-Unë do bëjë dasmë e do ta tund. Le të jetë edhe në gushtë, ç’të bësh ky është fati ynë. Një re e zezë.Po unë do ta tund në 20 gusht.

-Tunde Dillar hënori,tunde, gomarët martohen në gusht, u dëgjua përtej qelqeve zëri i Gazjet Gërnjari?.

-Rojtarin aty e kemi, tha dajua. Pas, pemishteve, përgjithmonë, duke përgjuar.

…Epo, çfarë pastaj? Ju e dini, historinë e tyre, cikli që përsëritej.

3.

Xhiruam te kalaja. Atje ka qenë një agjenci e vjetër udhëtarësh. Ajo ishte streha e vetme. Atje prisnin në mot llohe, me diellin ,që përvëlonte në erëra, që frynin si në shtëpinë e tyre.

…E diel 20 gushtë -86,te agjencia.

Sazet kishin ardhur. Në pritje të një autobusi të vjetër çek. Ishte rrangalla ,që ngjitej e zbriste në udhën e përhershme. Dimër dhe verë. Në acar dhe në zheg. Orkestra zuri vendet e fundit .U bë një orë duke udhëtuar. Shkëlqimi i djersës së imët në fytyrën dhe duart e tyre reflektonte prapa një dritë në shkëlqimin e diellit. Usta i gërnetës, tha:”T’ja marrim shtruar!

…Dil moj dil, të daltë rrënja,

hape penxheren nga lëma,

të dëgjosh si vete kënga!

Mos u tremb se s’të vi brënda,

dhe të vish ’bëhetë gjëma!

– Më ka porositur mëma

“vajzë, mos qas njeri brenda!”…

Në vendet e fundit. Sazexhinjtë kishin vërvitur defin dhe fizarmonikën. Ishte ulur një djalë fshati .Me sy depërtues. Diçka vrojtonte.Ishte Dëboraku.Ata e thërrisnin:Dëborak fuksi.Përse kishte zbritur deri në qytet dhe ishte kthyer me korrierën? E kishin parë te Dega. Ai nxori një biçak të vjetër .Fshehtas qëlloi lëkurën e defit. Pastaj goditi mbi dhjetë herë. Rrobën e fizarmonikës. Sazexhinjtë kishin shtruar muhabetin. As që e kishin mëndjen. Kur rrangalla qëndroi në qendër te rrapi. Hija, zbriti. U drejtua te makina e kooperativës. Goditi disa herë gomat me biçak. Humbi mes hijeve të gurëve.

Sazexhinjtë tundnin pluhurin e rrugës. Esmeri nisi këngën. Tjetri vuri në buzë pipëzën. Ofshai. Një tingull magjepës. Dhe i rrallë. Gjëmoi klarineta. Zëri i bandillit tundi dhenë.

…Shtëpia përtej në buzë,

të dërgova kallauzë:

Puthe për mua në buzë,

Puthe, po puthe ngadalë,

mos ja kërre mall fare.

O mushkë e kuqe xanxare

kur më shkon në ata varre

të dekurit i ngjalle,eeee…

Bjeri defit,usta- thirri dajua. Ustai e ngriti lartë.

-Kujt ti bie?- tha.

-Shiko çfarë kanë bërë

.Hodhi në krah fizarmonikën. E hapi sa hapet krahu.E mbylli, sa mbyllet krahu. Por,tingull,dot s’nxori.

-Tersi i kulakut ka tre gjëra,molloiste dyqanxhiu. Defi, firzamonika, dhe gomat e çara të makinës së kooperativës.

-Çfarë tersi i madh me këtë familje,mos janë gjë fis kulaku? Pyet isazexhiu. Ku nuk kemi shkuar me sazet,por si këtu. Të mençurit thonë:” Çahet daullja, kur martohet kulaku”.

4.

Zhegu i verës, çanë gurin. O i shqetësuar, si mund t’i harrojmë lajmet e aso kohe, aty rrëshqasin. Kështu që,në atë zheg vere. Pasdite vonë. Erdhën krushqitë. Nusja hipur mbi kalë .Dhe quhej Hënore.

Kishin ecur km të tëra nëpër zheg. I kishin pritur gjithë ditën. Pritja,si ardhja e mëmës. Lot-gëryer.Në kohën të kohës.Në rrugë të hënës. Në rrugën e mugëtirës .Argjendi i hënës,shtrohej .S’rrëzonte vetëm hirin. Me sytë e përlotur. Krushqit hoqën valle .Sazexhiu me gërnetë çmendurisht i pasionuar lëshonte tinguj vajtuese dhe ezmeri tjetër me defin e çarë. Në goditjet e duarve të tij defi vibronte me ngritje dhe rënie në kohë të tingujve. Pastaj të tre sazexhinjtë ja morri këngës. Usta i klarinetës. Ëmbëlsonte mjeshtërit.

…O pikën e ballit ta ka zënë hija

Rritu,mo jbajame, se ta shkojë selvia

Ç’t’u rritën gërshetat sa s’ti nxë shamia

Rritu,moj bajame,se ta shkojë selvia.

Të kanë bërë magji dhe s’të rrojnë fëmija

Rritu,moj bajame,se ta shkojë selvia

Këpucët me qafa,çorapet me vija

Rritu,moj bajame,se ta shkojë selvia…

5.

Ka një pasthënie. Nga fundi i viteve ‘90, kulakut i vdiq e ëma .Dudë i thoshin ,peri ishte. Mori motrën,gruan dhe fëmijët. Mërguan në Greqi. Më pas gjezdisën kontinentin dhe qëndruan larg në Kanada. Kur i telefonuan se do ndanin tokat. Ua preu shkurt:Tokat e mia ua kam falur!

Pas asaj telefonate nuk është dëgjuar më ,për vite me radhë. Thonë se humbi. U tretë si kripa në ujë. Nga një breg sipërfaqësor, shkova edhe një herë në një oqean kuptimor.

…Ebual-Alael-Marri në vitin 1057 ka thënë:Nëse pas vdekjes trupi juaj do të ruante formën e tij.Ne mund të shpresojmë se do të ringjallet përsëri.Ashtu si një enë, e zbrazur nga vera, mund të rimbushet, për sa kohë të mbetet e pathyer.Por të gjitha pjesët e tij janë zhbërë dhe janë kthyer në grimca pluhuri të rrëmbyer nga erërat…