Dëshira-Preng Maca


(Nënës sime,që nuk është më)

Ka kaluar kohë që atëherë e megjithate mendoj se gjërat mbeten në kokën tonë në një mënyrë të çuditshme, si në një valigje kodi i së cilës nuk dihet se ku është, ndërsa fakti se herë pas here ndodh të hapet ajo valigje …

Ndjehesh rob, ose më mirë sjell ndërmend ato fakte prej së cilave jeton emocionalisht, çaste të shënuara të jetës. Vë re se vetë këto momente rrijnë, si guri mbi gurë , ngrejnë kështu ndërtesën e çuditshme të asaj që quhet jetë…

… Kishte ditë që nana ime ishte e sëmurë. Rrinte shtrirë për orë të tëra . Kur ngrihej mezi lëvizte , thuajse e pengonte diçka e madhe prej nga nuk shpëtonte dot lehtë , megjithatë mundohej…

Dritarja e dhomës, ku pushonte nga sëmundja gjatë që e kishte vënë poshtë prej kohësh, shihte nga rruga. Ishte një paradite e sapofilluar. Njerëzit në lagjen ku jetonim ishin ngritur, duke e populluar rrugën poshtë dritares sonë, ku nëna shtrihej e sëmurë. Ndonjëherë ajo ngrihej me përpjekje të madhe . Ja kjo ndodhi ndërkoh atë paradite. E ndihmova pak . U afrua pranë dritares e vendosi fytyrën e rrudhur e të mplakur në xham, ndërsa përtej atij xhami bota lëshonte zërat e mrekullueshëm të jetës.

Ndërkaq një fëmijë vrapoi, pastaj e shtoi vrapin, kur pas tij u lëshua një tjetër dhe e qeshura e garës kumboi lart ,si shakaja e asaj dite plot diell.Dhoma kishte erën karakteristike të njeriut që dergjet në burgun e pamundësive njerëzore.E pamundura ishte nana ime. Ishte hera e parë në jetën e saj që e mbaja mend të përtonte.

Po mendoja ashtu, ndërsa nana ime i ndoqi fëmijët me sy dhe një buzëqeshje ju vizatua në cep të buzëve të holla e të thara. Tundi lehtë kokën, psherëtiu më një zë të ngjirur e të lodhur, shpresë humbur , e penguar në një mendim shfaqur poshtë syve të lodhur…

_ A ka ndonjë gja? Më thuej të lutem nanë! _

Ajo qëndroi një copë herë, si në ajrin e asaj dite të mbushur plot diell e jetë dhe psherëtiu përsëri. Fëmijët jashtë silleshin me vrap njeri pas tjetrit në lojën e tyre , a thua gjithçka mvarej nga ai vrapim për ata në këto çaste.

Ajo vështroi prapë atje, kur ato u shfaqën përsëri në rrugë, poshtë dritareve në xhamin e të cilës nana ime kishte mbështetur prapë fytyrën e saj të lodhur.

_ Ah sikur!, dhe qeshi_

_ Çfarë ?,-e ngacmova që të ma thoshte atë dëshirë, që sapo kish nisur ta shprehte.

_ Sikur të mund të vrapoja edhe njëherë kështu, si këta…fëmijë!,- dhe bëri me dorë andej nga fëmijët.

Ja pashë lotin e saponisur nga sytë e saj. Gjeta shkak e dola për ta lënë vetëm , të kapte sërish veten nga ai çast, kur ishte ndjerë dobët.

Kur u ktheva, ajo ishte shtrirë sërish në shtrat. Sytë i mbante mbyllur dhe unë isha i sigurtë se nuk po flinte. Ndoshta, ndoshta…po e sillte ndërmend vrapimin e saj në fëmijërinë e largët, kur vraponte si era.

U ktheva në dhomën tjetër dhe qava me një dënesë të heshtur, pa zë, qava nënën time, dëshirën e saj për të vrapuar, ndarjen nga jeta , nga vrapimet e saj të përkohshme.