Deti dhe unë-Gjelina Maçi Keçi


Deti dhe Unë

Krahëve të diellit arratisem që të shikoj në sy

Të vij dallgëzimit tënd të ëmbël det i kaltër,

Ulur bregut rri me zemër të hapur tek ty,

Sikur përpara kam një hyjni

Çuditërisht

Shpirti të rrëfehet edhe për guvën e tij.

Në ekstazë për ty tretej e mpakej

Hekurat me dhëmbë i këput

Portës së dimrit drakonik thinjur, plakur…

Dhe ti që më dëgjon

Pa më gjykuar;

Qan e qesh me mua

Në liri pa me robëruar,

Në të vetmin vend në botë

Aty gjej ëndrrën e lulëzuar që aq shumë e dua!

Me ty ndjehem hanë plotë,

Sofrës tande malluar pi gosti,

Me frutat tua mrekulli e me perlat zbukuruar,

Shampanjës së shkumëzuar ngremë dolli.

Të dua det, të dua,

Në valë, dallgë e stuhi!

Ti hap krahët dhe unë me hov të lidhem pas qafës

Nëpër lugina valësh bregut e në thellësi,

Shkrij akullin e ripërtërihem

Loz e qesh me stërkalat si fëmijë

E vallëzojmë valsin dashuror

Me gjithë qenien time prek fundin në pafundësi.

Ti m’i ndez dritat e shpresës

Mi dhuron jetë jetës

Si kandilit tënd të përjetshëm.

Në ujin blatuar me shijen e kripur

Perëndimit me diellin zhveshur në të portokalltë,

Muzgut kur hana të derdhet mbi gjoks e ndritur,

Që flakëron ndjenjën e zjarrtë

Sodisim qiellin duke shijuar yjet mjaltë.

Vetëm uji yt barazon njerëzit pa klasa e rrallë,

Unë aty ndihem gjallë,

Pëshpërit me ngazëllim

Numëroj sa herë frymën ma ndalë

Thellë detit tënd më mbaj

Aty me ngujo dashurisë që të mos dal!

Je ëndërr që kur larg teje ndodhem s’guxoj ta them

Në përqafimin tënd me afsh duke notuar e gjej,

Deti im – bekim,

Ndreq në ledha çdo gabim

Melhem i shpirtit tim!

✍️Gjelina Maçi Keçi