Detit mos i vrisni ëndrrën-Myrteza Mara


Syrit mos i ngrini lotin,

Pemëve mos ua nxini stinët;

Zemrës mos i ndillni mortin,

Shpirtit mos i mbillni dimër.

Diellit mos i zini dritën,

Gojës mos i prisni fjalën;

Pyllit mos ia digjni frikën,

Frikës mos i vishni djallin,

Fushës mos i fikni verën,

Zogut mos ia vrisni këngën;

Malit mos ia ndalni erën,

Detit mos i vrisni ëndrrën.

Ju, të eturit për gjak,

Ç’qumësht nëne keni pirë?

Mos e ndizni botën flakë,

Edhe paqen me zinxhir.

Sepse koha ka një ligj,

Ka dhe bojë historia;

Lot i popujve është gjyq,

I bekuar nga Perëndia.