Dhe në yje varën djepe-Kristo Çipa


( Baladë)

Kushtuar tragjedisë që ndodhi në Pilur në 1750. ku koshadhet turke shkatëruan fshatin duke vrarë rreth 200 burra, gra, fëmijë e pleq!

Ç’është kjo psherëtimë jetime

E ftohtë si thikë shpine

Moj bijo o o o?

-Vjen gjëma me kryeqyqe

Grykës lumit hingëllinte

Moj mëmo o o o!

. . .

Në kubet hark jatagani

Tespijet këput Sulltani

“ Pilurjotë , baltë do hani

Nga Palermua tek Kalbaqi!”

Këndon qyqja në dy male

Dy përrenj marrin sinjale

Nga veriu tre koshadhe

Shën Thanasi del në varre.

Jatagani turk me presë

Çelik në kudhrën e hilesë

Vjen nga Urra e Qabesë

Dhe erën kërkon ta vdesë….

Vërshoi gjaku e shoi zjarrin

Flaka e dogji të gjallin

Shpirti trupit s’ia gjen varrin

Dhe mitrës foshnjën ja marrin.

Gjaku i priftit skuqi mjekrën

Si vjeshta kur e pjek shegën

Kokëprerë e vazhdon meshën

Malet dhe shentorët heshtën.

Atje poshtë tek kroi i Zonjës

Një fëmijë i flet shqiponjës

“ Më dërgo krahët e thonjët

Të marr babën e mëmëzonjën!”

Një grua kutalanua

Shkon si reja mbi përrua

Me burrin sakat, ngarkuar

Në ishuj për ta shpëtuar

Pa dëgji,, o Zoti ynë!

Ngreja qiellit çatinë!

Të shikosh gjëmë-llahtarinë

Dhe zogjtë mbetën jetimë…

Në Krakur pëllet një ka

Të zotin thela kur pa

Me brirët-heshta që ka

U vërsul e shkoi mbi ta!

Osmallinjtë qiellin rrjepin

Hëngrën fushën, thanë djepin

Nëpër gjak e mbytën demin

Që të zhduknin amanetin

Dyqind trupa pa firomë

Pleq edhe fëmijë të njomë

Qe masakra që s’ka gojë

S’ka profet që ta gjykojë…

Gjaku si jorgan mbuloi

Hiri përbrenda trazoi

Shpirti i fshatit që shpëtoi

Brenda amanetit roi

Më shumë se trupi dhëmb toka

E ndanë si kulaç në copa

Fermanët, ferra dhe llohra

Prenë njerëz, vramë kohra!

Plagët mbuluan me sherqe

Nëpër yje varën djepe

Në vetëtima për vete

Atje hodhën rrënjë jete..,,