Dhembje pa lot-Zymer H.Haliti-


DHEMBJE PA LOT

Dua të flas me vetveten pa zë

të shpreh atë që nuk shprehet

t’i zgjidh rebuset një nga një

rrëfej atë që s’mund të rrëfehet.

Është diku një dhembje pa lot

dhe plaga që nuk shihet dot

e trupin akull nuk e le të qetë

si dallgë deti na shtyn nëpër jetë.

E heshtur po ikën dhe kjo natë

me acarin pa borë kur shtrëngon

nga lart hëna zbardh si një pjatë

nëpër eter pa pushuar fluturon.

I humbur në mjegull të jetës

labirintheve të panjohura shtegëtoj

duke i vënë një pikpyetje vetvetes

e sekreteve,që nuk arrij t’i kuptoj…!

About Post Author