Dhëmbjen lerma mua…


Marrë nga libri i parë poetik DHEMBJEN LERMA MUA në process botimi nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” Gjilan.
Pergatiti ;Timo MERKURI.

1-Vizion
Një yll i vogël
mbi qerpikun tim bën dritë

Janë kujtimet e ndryra
që trokasin të më zgjojnë
plotë frikë

Pse fshiheni pas hënës
o hije të marra
fantazma të së kaluarës…

Këtu keni buzëqeshjen time
të shtyheni të bëni gara

2-Erdhe bashkë me pranverën
Per ty i fola diellit,
luleve, pemëve, natës sketerrë,
valëve,vetëtimës, yjeve vezullues, qiellit

Pa përgjigjje…mbeta

Iu riktheva vetes në meditim;
sikur të dinin ndjenjat e mia
qoftë vetëm njëherë
nuk do të lulëzonin të harlisura
veç në pranverë
por edhe dimrit
brenda shpirtit tim

Aty ku gjithçka
fisnikërisht ujitet e mbinë

Nuk do ta ndjeknin
këtë stinë të bekuar
por dashurinë…

3-Heshtja u bë britma jonë

Unë ngreh në vete
të pathënat e botës
e ti vetëm heshtë
Provo
t’i zbusësh fjalët

Ta dish
ka për t’i kapërdirë
një e vërtetë lubi
që me dhëmbë s’mbahet

Dhembjen lerma mua
e shko
pa kthyer kokën mbrapa
Nuk do të flas më as unë
sepse
heshtja u bë britma jonë

4-Të dua sa dhemb
Të më thuash
ujë a zjarr?

Unë flej në heshtje

Të më thuash
dashni a urrejtje?

Unë flijohem pa fjalë

5-Me vallen e pafjalëve
Kthehem sonte
si e mpirë nga ndjenjat e pafjalët
tek ti
që më bën të jem autorja e yjeve

Syri im feston
zemra qan e buzëqeshë
po sonte
me vallën e pafjalëve.

6-Si një gjethe në zemrën tënde
Erës pranverore
valëvitesha si një gjethe
në zemrën tënde
Majtas djathtas
heshturazi
pa u ndalur
Kur shihja sytë e tu
botën shihja
Unë
e çmendura pas teje
përditë zhytesha më thellë
në detin e dashurisë

7-Enigmë
Nuk e di
si ka mundësi
që dashuria të vishet
me përqafime
puthje
prekje
dhe tërë ai zjarr i brendshëm
të shuhet me një buzëqeshje 

About Post Author