Ja, dhe stinët janë ndërruar,
loti nënës ka shteruar…
ah, pranvera ka vonuar !
malli nënën po e tret,
syri lotin nuk e shter.
Vetë pranvera lulet vret?!
Shkasin vitet radhë-radhë,
s’hyn pranvera më mbi prag,
nënën malli e ka marrë,
loti syrin merr ia lag.
Dhimbja zbret dhe trazon brengën,
brengë e mallit bëhet gur.
Nëna bisedon me hënën.
Hëna digjet, bëhet zhur.
Dhe kalojnë pranverat akull,
s’kanë lulet më aromë.
Pret një nënë, pranverës, plakur,
pret mëngjeset, netët vonë.
S’ka më shpresë, venitet syri,
cipëz hëne vë përmbi.
Tej nga detet mjegull zhuri,
emigrantë merr përsëri.
Pret ajo mpakur te pragu,
në çdo stinë mos vijë pranverë.
Vetëm era fryn së largu,
edhe vjen grindet në derë.
Mbetur kockë atje te porta,
ndjen një zë e rri mban vesh,
Vajzën ia ka përpirë bota.
Vetëm era fryn…përqesh…
Poezi -Dhimbje nëne
Sheqere Sina Ozuni
Albania !
