Dhimiter Nica
Të gjitha lulet kanë emrin tënd

Sonte edhe hëna ndriçon kuturu
e lulet hedhin valle nga magjia bjonde,
deti paska vjedhur sytë e tu blu
e dielli flokët e artë me onde.
Sonte çdo gjë e bukur të ngjan veç ty
dhe unë çdo lule thërras me emrin tënd,
i përkëdhel dhe i puth në buzë e në sy
e morni-kokrrizohem vend e pa vend…
Nuk kisha më parë këto ndjesi,
më parë s’kuptoja çdo të thoshte poet,
që kur hyre në botën time ti,
unë puth vetëm lule e ngopem në jetë.
GRATË E BUKURA
Gratë e bukura më skllavërojnë,
më grisin hundën e marrë arratinë,
ngjyrën e fytyrës sepse ma dyllojnë
mes flokut të tyre e dua shtëpinë…
I ndërtoi Perëndia me ar e polen
dhe mua të shkretin që t’i shoh me zjarr,
me Omar Kahjamin do t’i deh me verë
dhe pastaj do kthehem në dashnor i marrë.
Më vonë le të digjem në hi dhe eter,
s’do bëhem pishmand se ç’bëra më parë,
dhe ju do thoni na ishte një herë
një poet i çmendur dhe dashnor i marrë!
JO VETËM PËR FESTË…
Sonte lërja erës flokët në dorë,
të vallëzoj me to e t’i bëj lule fushe!
Parfumin zgjidhe nga çaji mbi Tomorr,
trendelinat zgjidhi për medalion gushe.
Vishu sa më thjeshtë ti sonte për mua,
lër ca hire jashtë, t’më shtosh pakëz jetë…!
Unë do pi pa merak te krojet e tua,
pastaj do derdhem në ty, si Drini në det…
Si pyjet e Amazonës do çelësh pas shiut,
nuri yt do lëviz edhe të vdekurit në varr,
do shkrijë edhe Oqeani i Ngrirë i Veriut
pastaj do kemi lule, degë e lastarë…!
VETËM NJË DITË.
Ashtu qe shkruar e qe thënë,
ajo e dashuroi vetëm një ditë,
ndoshta ia la zemrën gjysëm të ngrënë,
ndoshta e dashuroi si vetë perënditë.
Dhe nuk i tha kurrë se vetëm sot,
se vetëm sot mund të ishte e tij!
Nuk deshte, apo s’arriti t’ia thoshe dot,
apo nuk donte t’i shuante thëngjijtë…
Dhe ai bëri dashuri marrëzisht,
marrëzisht si kurrë ndonjëherë në jetë!
Dhe ajo e la të lirë tërësisht,
t’i zbulote labirinthet e saj të nxehtë…
Asaj ndoshta i kishin bërë shenjë perënditë,
ta digjte në zjarrin e saj, vetëm një ditë!
NDJENJA
Dora rrëshqiste lehtë mbi lëkurën e saj,
unë nga fërkimi u shndërrova mornica…
Një ndjenjë e thellë më digjte si vaj
e rridhte drejt fundit, ndoshta po vdisja!
PABESITË E HËNËS
Hëna mos ju duket kaq magjistare,
sa shumë poet ka marrë më qafë!
Kur të jep fjalën se po vjen në dritare,
me një yll bën dashuri atje lart…
KËMBËT
Sonte ti nuk doje të bënim dashuri!
Të paktën,unë hodha këmbën mbi tënden…
U puthën gishtat, pulpat, kofshët..
Vërtet gjithë natën nuk ndjem gjë unë e ti,
por këmbët u rrekën dhe i nxuarën zinë botës…!
MERAK
U ngrita pa pritur në mesnatë!
Qetësi rrënqethëse…
E vetmja zhurmë,
frymëmarrja jote, tik-tak
si një orë e rrallë dashurie !
MARRAMENDJE
Kofshët e tua
të rrumbullta, të rrumbullta,
deri lart në rrëzë,
aty ku
ka bër fole Perëndia…
Vise të virgjëra, të ç’virgjëra,
nuk di përse,
marrin mendtë e mia!
© Dhimiter Nica, Selanik