“Dielli është jeshil“,
Kish thënë Ai
Dhe ne të gjithë heshtëm.
Heshtëm…
Ndoshta e besuam si Perëndi
Dhe pritëm të pikonte klorofil.
Pritëm agimet…
Dielli të ngrinte kokën mbi ullinj
Dhe të ngjante me një gjethe të varur në qiell…
Por jo,
Gjithmonë pamë një portokall,
Herë të plotë, herë gjysmë të tharë, kokallë.
Të na kenë bërë sytë, vallë?…
Askund nuk pamë diell jeshil.
E prapë dielli ishte i tillë.
E kish thënë Ai.
Heshtja jonë na kish pikuar në tru…
S’po u besoja më syve të mi:
Truri e kish kthyer nga portokall në klorofil…