Diell-lindjet-Nikollë Loka


Nikollë Loka

Diell-lindjet

Prej lart bien hapa, dikush po zbret,

dhe shikimi ulet përtokë në hije gjurmësh,

lartësitë shkurtohen,

e në kreshta malesh me kryet përpjetë,

dielli fshihet në pendesë,

shikimet shuhen…

Bien në muzg orët,

tinguj këmbanash pushojnë mbi rrokaqiej,

e më përtej ecin buzëmbremjet,

me hapa murgjësh,

përballë faltoreve.

Ecin lumenjtë nëpër det,

në udhët me kripë e me mjaltë,

dhe njeriu vetë,

veç ngjitet lart…

Siç ngjitet dielli në mesditë,

dhe nëpër qiell,

zbresin përtokë të gjithë mrekullitë.

Pse nuk ke kohë për askënd, për asgjë!

Ngatërrohesh meridianeve, paraleleve,

në çdo ndjesi, në çdo qelizë e në çdo nerv,

në vorbulla kujtimesh të rinj a të vjetër,

në çdo sprovë për ta rigjetur veten,

deri kur s’do të mundesh më!

Pse shpesh të ngatërrojnë me një tjetër,

njerëz që s’të kanë njohur e as s’i njeh!

Pse nuk ke kohë për sot e as për nesër,

pse nuk ke kohë as për një gjurmë në ecje,

pse s’të mjafton qielli,

pse horizonti s’është më!

Pse s’ke ku ta lësh një buzëqeshje,

pse nuk ke kohë për askënd e për asgjë!

Ditaret lexohen në prill

Koha të kthehet në ditar që lexohet shpejt,

me fletë që të ngjallin kureshtje.

Faqe të shkruara,

nxitim për të arritur diku…

në disa pasdite vjeshte…

Dhe gjethja e fundit u shkëput nga një pemë e ra,

era po e sjell drejt teje,

mbaje në dorë si një kujtim,

i të shkuarës që s’të la gjë prej gjëje.

Lexon midis rreshtash e përgjigje s’po gjen,

çfarë sjell gëzim në jetë!

Në një park lakuriq në buzë tē dimrit,

ndjen trishtim dhe për drurët e shtrembët!

Në faqen e fundit nuk ndihesh aq mirë,

se paske harruar veten!

Ditarin nuk don ta mbyllësh me vjeshtë,

as me sythe të fjetur.

Kërkon njē pranverë që s’duket askund,

por dhe fjalia e fundit u mbyll!

Tri pika shënojnë fund apo rifillim!…

Ditaret lexohen në prill.