Kujtimet ç’po më bien si pika shiu
Në qelqin e ndërgjegjes, mbi unin tim
Ngjarjet nga kujtesa dot nuk m’i fshiu
I druhem atij shikimi në shigjetim.
*
Njëra mbush oazet që vetë i përpiu
Tjetra shpirtin peng të kujtimeve lehonë
Në vallen e vdekjes ç’i shtyn veriu
Mbresat si gjethet në vjeshtën e vonë.
*
Dhe digjet mendimi, bëhet shkrumb
Mbi gurë varri, shikimit në amshim
Ashtu si cungun që e përpinë flakët
Një dite të bardhë dimri, në acarim.
*
Në hirin e mbetur Feniksit zog…
Mbase i rritet shpresa për gjallërim
Ngjizet nga loti qerpiku që e rrok
Me bekimin e mbajtur qysh “nefilim”.
*
Dhe vjeshta e mendimit vjen përplot
Ndër hoje ndjenjash vuajtjet kalvar
Ëndrrat që thuren prej qarjesh pa lot
Dhe kumti shpirtit i mbetet lavar.
*
Po më pyet toka përse iki prej saj
Largohesh më thotë pa u hetuar
S’përgjigjem dot jo për timin faj
Por Buda thotë,- për t’u inkarnuar!
