Dikur-Rubjana Nika


Në shtëpinë tonë ku dikur,

të qeshura fëminore ,

rrëmuja të zhurmshme,

dëgjoheshin kudo,

lodra të hedhura ngado,

gjurmë bojërash,

rroba, të shpërndara

anekënd,

sot sikur një dorë mizore i ka fshirë,

më nuk i dëgjoj,nuk i shoh.

Në këtë shtëpi ku jetojmë,

asnjë zë fëminor,

asnjë e qarë,

asnjë e qeshur lozonjare,

nuk dëgjohet,

asnjë zhgarravinë,

asnjë rrëmujë nuk shikohet,

asnjë faj, as një gabim nuk qortohet,

veç heshtja kudo mbretëron…

Jeta rrjedh monotone,

dembele,e plakur,

ditët vrapojnë me përtim,

koha e pa matur ecën e ecën,

pa e kuptuar e menduar

se s’ka kthim.

Ditët e zymta,pa jetë,

pa diell,pa jetë,

si njëra-tjetra,pa ndryshim,

pres të gjallërohen,të ndriçohen,

shpresa më mban gjallë,

pa dyshim…