Dinastia e talenteve të spikatur-Vullnet Mato

Vullnet Mato


DINASTIA E TALENTEVE TË SPIKATUR


Me nënën e babanë, ishim trembëdhjetë,
sakrifica na nxori, njëri pas tjetrit, në jetë.
Formuam një dinasti, nga më interesantet,
me talente të spikatur në profesione pikante:

Shkrimtar, piktor, radioteknik, profesor,
me shtypshkronjë, televizion, kinooperator.
Përhapëm rrezatime, shkëlqyem si emra,
lidhëm jetën, me më të zgjedhurat zemra.

Por në botë, s’mbetet askush i përjetshëm,
krijesat e dashurisë, bëhen të nëndheshëm.
Ashtu u shua dhe dinastia jonë, me matojanë,
brenda një shekulli, na vajtuan pasardhësit tanë…

Çuditërisht, unë më i madhi mbeta sërish gjallë,
ndoshta se i larguar, i desha të gjithë me mall
dhe gjithë të tjerët, pak nga vitet e tyre, më lanë,
të mbijetoj, kur para kohe, prej meje u ndanë?

Apo ndoshta, se i duhem ende jetës mbi tokë,
të dhuroj rrezatime mirësie, për miq e shokë?…
Nuk bëj keq, s’kam ambicie, s’kam fare lakmi,
jetoj në shtëpi të huaj, nuk synoj asnjë pasuri.

Në këto rrethana tashmë, kam mbetur i vetmuar,
qyqar, pa motra, pa vëllezër, përqark i parrethuar.
Por falënderoj nga zemra Zotin, më la gruan pranë,
dhe mikeshat e miqtë e shumtë, që më duan anembanë.