Ditëlindja e Majorit-Nga Shkëlqim Hajno

-Tregim-

         Major Progon Kurti ishte rritur jetim. Babai i tij, një ish partizan, u nda nga jeta kur ai ende nuk kishte lindur. Si djalë partizani, mori arsim të plotë ushtarak. Falë vullnetit dhe këmbënguljes, karriera e tij shkëlqeu shpejt si oficer artilerie. Por, në një pikë kulmore të karrierës, zilia e shumë kolegëve nisi të përndriste, herë hapur e herë nën ujëra të qeta, në urime të veçanta pas çdo gradimi dhe ngritje në detyrë. Progoni tashmë thirrej prej disa vitesh edhe nga bota ushtarake po edhe ajo civile që e rrethonte me epitetin karizmatik “Majori”. Në qytetet e jugut, në vitet ’70-’80, ky emërtim po përdorej si sinonim i emrit të tij.

                  Impulsiv, tip social, i gjatë, simpatik dhe me humor, Progoni nuk i harroi shokët e fëmijërisë, siç kujtojnë edhe sot ata, edhe kur u bë “i madh”. “Është një nevojë shpirtërore”, shprehej shpesh. “Sikur më mungon diçka nga frymëmarrja po të më mungojnë miqtë e shokët e vjetër.” Lidhjet me ta ishin si një urë, ku njeriu var kujtimet e bukura të së kaluarës me topa llastiku, me peshkimet në lumenjtë përreth qytetit, me kinemanë e vjetër, me lojërat e pafundme. Me këto lidhje i kuptonte edhe sukseset e viteve të fundit.

E ndiente se kështu rrethohej ngado me ngrohtësi, ndërsa ylli i karrierës së tij po ngjitej në zenit. Nuk mbahej mend atëbotë të shihej i vetmuar, por gjithnjë me miq të çdo rangu: kolegë e shokë në çdo rast.

         Por karriera e tij do të pësonte një krusmë fatale vetëm pak, pasi u kthye nga Kina e madhe e Mao Ce Dunit.

         Majori, që kishte parë Shangain për shumë ditë, fliste me shokët me superlativa për zhvillimin kapitalist të Kinës. Dhe, kur bëhej krahasimi me “ne”, i binte shkurt: “Lëre mos e pyet! Ne jemi fundi i botës! Një kafshatë na kanë, por nuk duan vetë të na kapërdijnë, megjithë fortifikimet dhe përgatitjet tona luftarake të padiskutueshme”.

         Në fakt Majori kishte vite që punonte me fortifikimet në jug të vendit. Ishte veçuar si më i miri, yll në ngjitje edhe në kohën shqiptare të leifenizmit, ndër më të zotët padyshim nga ushtarakët e karrierës në strategjinë e artit ushtarak popullor, që vetë Udhëheqësi e kishte bekuar në fillim dhe pastaj çbekuar, sapo paranoja e tij i shndërroi  në armiq të gjithë besnikët.

***

             Por në lidhjet e Majorit me shokët e karrierës, ata të fëmijërisë dhe të rinisë, ishin përfshirë, mesa duket, edhe “veshët dhe sytë e mureve”.

Dhe krejt papritur, qielli i pambarimtë i optimizmit dhe lumturisë në familje iu mbush me re të murrme dhe, më pas, vetëm me re të zeza. Vranësirat ia lanë vendin shumë shpejt të ftohtit shpirtëror siberik.

         Në repartin ushtarak ku shërbente Majori, befas u organizua një mbledhje e jashtëzakonshme e organizatës së partisë. Kjo mbledhje, thoshin se do të shndërrohej në një gjyqmakth të vërtetë.

         – Ke folur për suksesin e padiskutueshëm të kapitalizmit, kështu që je disfatist, sipas parimeve të partisë sonë… Je mendjemadh e bukëshkalë,- dëgjoheshin njëri pas tjetrit diskutimet.        

Zilia e një aradhe injorantësh të çertifikuar për besnikërinë e verbër me paaftësi të ambalazhuar me uniformë jeshile, ishte shndërruar pak nga pak në një masë acide, që do të treste çdo idol. Kaq ishte puna.

         Sapo u siguruan se Majorit tashmë i kishte “shkarë këmba”, ngriheshin të tjerë, me gjuhën e turmës së verbër: “karrierist!”, “nostalgjik për gradat dhe shenjat e karrierës në ushtri!”, “të ka zënë sytë buka e Partisë!”, “mikroborgjez!”, me shenja të qarta të puçistëve, që Partia jonë me forë dhe Udhëheqësi ynë i lavdishëm, u tregoi vendin!”

         – More, më lini të them një fjalë! Akuzat nuk janë fare të vërteta! Dua të them se i përbuz këto akuza!

         Por arkitektët e turmës ishin të prerë, ishin të shumtë. Majorit i vetoi ato çaste në tru turma e milingonave që vërshojnë befas nga trungu i një lisi dhe sulmojnë një pëllumb të plagosur rënë poshtë një peme në pyll me një krah të coptuar nga gjahtarët.

Njeriu i zi që pati hedhur i pari pikat e vajgurit mbi tortë, pas një raporti nga ujërat e ndotura të kanaleve të nëndheshme, tani heshtonte  në një cep të sallës  me nofullat këndore si të një çarku pa nxjerrë asnjë pipëtimë. Emri i tij kishte një semantikë që lidhjej me togfjalëshin Bashkim (Sovjetik).  Cipa e lëkurës së tij në fytyrën si negativ maske prej allçie ishte jeshile në të verdhë dhe kishte diçka krejt të ngjashme me cipën e lëkurës së një gjarpri guri lënë diku pranë një gëmushe në shkëmbin e thatë nga saçi i syrit të diellit .

         – Këtë radhë do të mjaftohemi me përjashtim nga Partia!- ishte zëri i artikuluar i një Lei Feni, shef i organizatës.

 Në sallë ra një heshtje varri.

         Majorit iu shfaqën sërish turmat qindramijëshe të milingonave reditura varg që nduknin në pjesët e mishta pëllumbin e plagosur. Një rresht shkonte drejt trupit të tij, shkëpuste diçka dhe kthehej me vërtik paralel me rreshtin tjetër, që po nisej me hare drejt trupit ende të ngrohtë të pëllumbit. Turmë. Mizëri. Majori vuri instiktivisht dorën në kraharor, si për të prekur zulmën e milingonave kokëmëdha me nofulla si pirunët metalikë të makinerive në një poligon ndërtimi.

***

              Nuk kaloi as një muaj, kur imazhi i kopesë së milingonave iu rishfaq sërish. Mbledhje e organizatës. Majorit i vetoi në tru si mbledhje e Kryqëzatës. Kjo e dyta ishte një sinonim i gijotinës: “Përjashtim jo vetëm nga partia, por edhe lirim nga detyra”. Pra, kalimi në botën civile, pa uniformën e tij të dashur, që e mbante në trup prej adoleshencës në shkollën ushtarake në Tiranë e deri në këtë ditëgjyq.

         Atë mbrëmje, tek kthehej për në shtëpi, e dëgjoi gati të tingullt zërin e tij: “Kjo ishte gijotinë, jo mbledhje. Domethënë pa punë, pa rrogë, domethënë burg, apo si? Njëlloj është, përjashtim”. Imazhi i milingonave nuk i shqitej nga sytë. Mes milingonave, pa edhe ndonjë “shok të ngushtë”. Edhe ti, Hektor? Edhe ti, Zeqir? Nuk të thosha kot dikur, se ngjaje pak si kinez, shoku Zeqir! Shoku Zee!…

         Qyteti po përjetonte temperaturat më të ftohta të dhjetorit.

         Nuk kuptoi si u gjend para shtëpisë. Hapi portën në katin e nëntë të pallatit më të ri të lagjes numër pesë. Erinda, gruaja e tij, e bukur, fisnike, me flokë të derdhur mbi supe, ishte pothuaj pas derës. E gjeti me krahët e kryqëzuar si para një ikone. Kishte tri orë me sytë nga dera e jashtme në pritje të Progonit.

         – Si?- vetëm kaq tha, e dëshpëruar.

         – Si mos më keq! U kërkova të më bënin një ballafaqim me akuzat. Por më mirë t’u kisha folur mureve. Njëlloj do të ishte.

         – Po të thoshe diçka. Ndoshta edhe të kërkoje një falje apo të bëje një autokritikë. Të gjithë jemi njerëz, jemi edhe të pakujdesshëm. Flasim pa të keq.

         – Rinda! Nuk bëj autokritikë, se nuk kam bërë asgjë! Kupton?

         – Progu, zemra ime, ule zërin, fëmijët dëgjojnë andej,- dhe bëri me kokë nga dhomat ngjitur.Pastaj e uli zërin edhe më:

         – E di që fëmijët tanë do të mbesin rrugëve, që t’i tallin bota? Lenci këtë vit është maturant. Do të kërkojë të drejtë studimi në degën që i pëlqen, në arkitekturë!- Lotët nisën t’i bien faqeve të purpurta pa pushim.

– E di që edhe mua më heqin nga shkolla si mësuese dhe më degdisin kushedi ku, në një fshat të largët, atje ku isha vite më parë?- vijoi duke lotuar me ngashërim.

         – Joo! Dhe mjaaft!- bërtiti burri si kurrë më parë në jetën e tyre. Pa ditur ç’bënte, mori një gotë me ujë. E shtrëngoi fort derisa qelqi u ça dhe dora nisi të gjakosej.

         U kthye nga Erinda. Ajo kishte ngrirë. Atëherë u kujtua se asaj i kishte shumë borxhe. E mbështolli i penduar me krahët e tij të gjatë e të fortë. Ajo dukej si një zog që dridhej nga ngrica në dëborë.

Mbi tapetin gri të dhomës, nisën të binin pika të kuqe gjaku.

***

         Pa kaluar gjatë, madje, që të nesërmen, ai lexoi qartë temperaturën sociale përreth tij që po ulej ndjeshëm. Disa nga miqtë e dikurshëm bënin hapur sikur s’e vinin re në rrugë. Ndonjë i njohur tek-tuk, ndërsa e ndeshte me sy padashur, lëshonte ndonjë “ç’kemi Major!” Ndonjë tjetër bënte një buzëqeshje të sforcuar ose, më mirë, ngërdheshje. Por asgjë më tepër.

         Pas giotinombledhjes, kishte nisur vakuumi i madh i heshtjes. Madje, më e rënda nuk kishte ardhur akoma. Armën personale, pistoletën, nuk e kishte dorëzuar ende. Vijonte daljet nëpër qytet. I papunë. Kthehej shpejt në shtëpi dhe priste, si kurrë më parë, të ktheheshin nga shkolla fëmjët.

Tani ishte ai që priste edhe Erindën të kthehej nga shkolla.

         – Hë? Si kalove sot me nxënësit?

         – Vërej se më shikojnë me sy dyshues dhe, shpesh, sapo afrohem, pëshpërimat heshtin. Pëshpërima ndjej edhe mes kolegëve.

         Progoni buzëqeshte hidhur.

         – Po ti?

         – Pas një muaji, mua më presin edhe marrëdhëniet finaciare. Pra do të quhem me një status të ri, ‘i papunë’. Do të më duhet të kërkoj punë në sektor civil. Ndoshta në minierë.

         – Takova sekretarin e dytë të rrethit.

         – Edhe?

         – Partia është e madhe,- tha ai.- Ti rri e qetë. Partia i di të gjitha.

         – Partia?! Partia e shokut Zee!- qeshi hidhur Majori me zë, më tepër me vete.

         Erinda e pa me frikë.

***

                   Dy javë pas ciklonit të giotinombledhjes, Progon Kurti kishte ditëlindjen e pesëdhjetë. Një vit më parë, në këtë ditë të shënuar, shtëpia e tyre në katin e nëntë ishte kthyer në mjedis festiv. Kënga dhe aroma e mishit të pjekur ndihej pothuaj në të gjithë korridoret e pallatit. Edhe këtë vit, si ngaherë, Majori i kishte shpërndarë ftesat për kolegët e tij dy muaj më parë, pasi të afërmit i kishte larg. Por tani e ndiente se ky pesëdhjetëvjetor, megjithëse vit jubilar për të, do të ishte një test i vërtetë për teorinë “e distancimit”.

         Kishte biseduar në kohë për të siguruar edhe një mish të pjekur megjithëse koha e tollonave të ushqimeve kishte vite që po lulëzonte. Kishte shkuar deri në kooperativën e Bambullit, për të folur me kryetarin dhe veterinerin, një shok fëmijërie. “Major, do ta rregullojmë këtë punë”, i pati thënë edhe Martini, kryetari. “Nuk dua të bëj karshillëk me komshijtë, njerëz të ndershëm. Nuk dua të bëj paradë luksi, se e di që njerëzit ushqehen me tollona”, i pati thënë ditë më parë  Progon Kurti.

***

         Ditëlindja e Majorit këtë radhë qëlloi një e shtunë nëntori. Ai i kishte lajmëruar ish-kolegët dhe miqtë të vinin në orën gjashtë pasdite. Por ora kishte kaluar nga shtata dhe askush nuk po afrohej te shtëpia e Progon Kurtit. Nga dhjetë të ftuar, pothuaj të gjithë ushtarakë, asnjë këmbë nuk u ngjit në katin e nëntë. Ora shkoi shtatë e gjysmë, pastaj tetë e gjysmë, por askush nuk dukej në pragun e derës. Asnjë zile, asnjë këmbë nuk dëgjohej në korridor.

Si dy qyqarë, ata u siguruan që fëmijët, Lorenci dhe Brikena, të ishin në gjumë.

         Progoni po dëgjonte tërë nerva lajmet dhe një kronikë për rendimente në fshatrat malore, diku në Kukës. Erinda po fshinte për herë të dytë pjatancat prej porcelani kinez, blerë pak kohë më parë në mapon e qytetit. Mishi i pjekur në hell, mbuluar me një basmë blu, qëndronte i ftohtë dhe i paprekur në aneksin e guzhinës.

         Majori hodhi edhe një herë sytë nga ora e dorës. Diçka foli me vete dhe vështroi nga dritarja e katit të nëntë. Asnjë zë nuk ndihej në korridor. Asnjë këmbë. Asnjë lëvizje. As në rrugë dhe as në trotuar.

         Dukej sikur krejt rruga poshtë kishte ngrirë.

 E mori mishin e pjekur nga tepsia e madhe, u afrua në dritare dhe e flaku tej, drejt e në trotuar. Një çast qëndroi në këmbë pas dritares, të dëgjonte ndonjë zë. Askurrkush…

         – Ç’bëre kështu, Progon? U çmende?- i erdhi në vesh zëri i tronditur i Erindës.- Fol të lutem, u çmende? Je në vete! Ti po i përshpejton gjërat për ata që nuk na duan.

         Ajo qëndronte në këmbë, me dy pëllëmbët e dorës si në një ritual lutjeje. Sytë e mëdhenj e të bukur ia mbuluan lotët.Për herë të parë atë mbrëmje, Majori hapi gojën:

         – Akoma nuk jam çmendur. Por bëra atë që duhej.

         Dhe vështroi thellë në sytë e trishtuar të saj. Për herë të parë, ata sy e kishin turbulluar në një lumturi të panjohur kur ishte në vitin e fundit të shkollës ushtarake. Në krelat e flokëve të saj të bukur Progon Kurti vërejti befas një tufëz me thinja, teksa ajo ishte shkrehur në vaj me gulçe.Hapi krahët e mëdhenj dhe e përqafoi fort, duke e puthur tek tufëza me thinja.

         – Çdo gjë mund të ndodhë tani, Rinda ime e bukur, shenjtorja ime. Por do të jemi bashkë, bashkë. Si tani. Edhe nëse përfundon më keq akoma, kështu?

         – Bashkë, Progoni im! Bashkë!- tha ajo me zërin që u përpoq ta pastronte nga ngashërimi i regëtimave të dhimbjes.

_o0o_