Djallushja dashuri-Viron KONA


Shkruan Viron KONA

Djallushja dashuri

Në moshë të rinisë,
shumë gjëra s`i dija,
zemra më rrëfente,
ç ‘është dashuria.

Thoshte është si toka,
që sapo hyn pranvera,
me llojshmëri bimësh,
mes lulesh dhe ferra.

Thoshte është si ajri,
që ne thithim përditë,
është si qiell i natës,
kur ndez yje e dritë.

Është një hyjneshë,
rënë befas nga qielli,
s’e heq nga mendja,
edhe kur del dielli.

Është si dimri i egër,
të ngrinë, të verbon,
por edhe trëndafil,
me gjemba të shpon.

Ka naze e xhelozi,
të vë edhe në hall,
por të bën ta duash,
si dy sytë në ballë.

Kërkon tolerancë,
të qeshësh kur s`do,
të ndryshosh rrugë,
të bësh si thotë ajo!

Të bën t`i kthehesh,
“ik, se më s’të dua”,
të qesh e të ndjekë,
ku po shkon pa mua!

Është e ç ‘nuk është,
djallushja dashuri,
pa të s’bëjmë dot,
as unë dhe as ti!