Do të kalojë edhe kjo-Vaso Papaj


(Tim biri, në një ditë pa punë)

Do të kalojë edhe kjo, biri im,

Si kaluan të tjerat.

Se ata që jetën e patën mundim,

Më mirë se kushdo lirisë ia dinë vlerat.

Do të kalojë edhe kjo, është tërbim,

Gjueti si përhera.

Ata po e vrasin çdo ditë vendin tim.

Sa e largët më duket pranvera!

Do të kalojë dhe se plaga të dhemb.

Është veç plagë, e ç’gjë tjetër?…

Më qeshet se dhembja as ty nuk të tremb.

Histori tashmë shumë e vjetër.

Do të kalojë edhe kjo, biri im,

I ke vitet përpara.

Mos vdis as ti nga një krim pa ndëshkim,

Pa e kthyer atdhenë nga e mbara.

Do të kalojë edhe kjo, do të kalojë,

Zemërhapur lufto për të mirën.

Bota është sferë e vjen rrotull njëlloj.

Bëju diell dhe largo errësirën!