Dollia në Brataj-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


I zoti i shtëpisë gëzohet me miq dhe shokë

Me ftesë të gazetares Anila Ahmataj dhe të operatorit Ardit Zotaj, si dhe të mikut tim Leonard Malaj, u gjenda në Brataj të Vlorës për një emision të veçantë “Dollia para një shekulli”, në ndjekje të traditës, të mbledhur në shtëpinë muze tradicionale të Fiqëri Likskëndaj.

I zoti i sebepit të konakut në Brataj ishte Esat Malaj që kishte ditëlindjen e nipit, i shoqëruar nga Luftar Guri, kishin ftuar miq nga tërë krahina e Lumit të Vlorës, gjer në Kurveleshin e Sipërm… Ata ishin: Skënder Kadëna nga Rexhini, Astrit Balili nga Kuçi, Sadik Hodaj nga Tërbaçi, Bernard Zotaj nga Smokthina, Qemal Tahiri nga Velça, Mihal Selimi nga Lepenica, Nazif Çela nga Lapardhaja, Xhezmi Hyseni nga Sevasteri, Avni Skëndaj nga Rexhepaj, Metlli Myftari nga Gorrisht, Fatosh Likoj nga Dukati, plot 12 burra, si dhe organizatori i këtij manifestimi të dollisë Leonard Malaj.

Dimri sapo ka filluar dhe moti, në malet, në zemërën e dimërit, është therës, por ata ditë të 9 nëntor 2024 ishte ditë me diell… I zoti i shtëpisë i ka ftuar, dhe këta duhet t’a vizitojnë. Esat Malaj ka ditlindjen e nipit (Eljuz Hysenaj) dhe do që të gëzohet me miq dhe shokë…

Në shtëpinë e Esat Malaj kanë arrijtur qysh herët të ftuarit e parë, por jo me kalë me shalë, por me xhipsa e vetura… të veshur me kostume civile për bukuri, por jo me këmishë me mënga të gjërë, me poture leshi të zeza, me xhamadanë leshi të stolisur me shkronja, me këpucë me xhufka shtatë pëllëmbë, me festen të ndarë në mez shqipëtarisht dhe të kthyer si bandillë, pak mbi syrin e djathtë… Të gjithë dukeshin si bandillë dhe zogj të shkruar.

Gëzuar miqëve…

Të ftuarit pasi dorëzuan armët tek i zoti i shtëpisë u mblodhën në dhomën e mikut ku ishin shtruar sofrat dhe rakia përpara. Në dhomën e madhe të miqve kanë zënë vend sipas rëndësisë miqtë, të ndarë në dy sofar. Gotat i kanë pranë dhe plot me raki, nga ajo më e mira. Esati i ka kishte bërë të gjitha gati, me kohë. Bënte ditëlindjen e nipit dhe jo shaka.

Esat Malaj hyri në dhomën e miqve dhe Luftar Guri i gjendur nga i zoti i shtëpisë, e mori gotën dhe nisi:

-Gëzuar dhe me jetë nipi Esat Malaj dhe rrofsh që na ke ftuar në gëzimin tuaj!

-Të falem nderit dhe me dyer t’uaj, iu përgjegj.

-Tungjatjeta, o miq, dhe edhe më gëzimet Tuaja, iu tha Luftari, para se të kthente gotën, edhe miqëve.

-Tungjatjeta, Luftar, ia pritën miqtë e sofrës së tij.

Dhe zunë të gjithë me radhë të urojnë si Luftari e të kthejnë gotat.

Esat Malaj i falënderoi të gjithë. Pastaj, si mbaruan të gjithë, mori gotën dhe ai, dhe si e mbushi plot me raki, iu drejtua të gjithëve, duke u thënë:

-Mirsë na erdhët, dhe edhe në shtëpi T’uaj.

Kaluan disa çaste dhe në dhomën e madhe u dëgjua përsëri zëri i Luftarit. Është miku më i largët e më i madh në moshë nga të gjithë të sofrës.

-Të kam gjetur, Skënder Kadëna. Këjo shëndete është e nipit. Me jetë të gjatë dhe u bëftë trim… Pastaj e ktheu gotën të mbushur plot me raki. Piu shëndetin e nipit të Esat Malaj dhe u bë dollibash. Nisi dollia. Kaluan disa çaste dhe Skënderi si e mbushi gotën plot, iu drejtua Luftarit:

-Mirse më gjete dollibash, dolli e sini e paç edhe në shtëpinë tënde. Shëndetja e nipit, të rrojë dhe me jetë! Dhe tani, urdhërin, ku më dërgon? Luftëtari, vrejti një herë pak si rëndë pjesëtarët e të dy sofrave, si për të zgjedhur më të majmin, dhe pastaj tha:

-Bjeri Fatosh Likoj!

-Të kam gjetur me një shëndetë e shumë kismete, me urdhër të dollibashit, i tha Skënderit, Fatoshi.

-Këjo shëndet është e nipit, jetë të lumtur dhe të bëhet trim… Pastaj e ktheu gotën…

Vijon dollia…

Por B… harroi t’a pijë dollinë pak si shpejt dhe ndofta nuk po e pin, po të mos e kujtojnë… Këta ia nisnë këngës: O trim mos rri pshteturë,/ Unë të kam gjeturë… B…, flak i kuq në fytyrë, nga turpi, mori gotën, e mbushi plot dhe iu drejtua Fatoshit, duke i thënë:

-Mirse më erdhe, Fatosh. Ti që më gjete mua, të gjettë e mira derën. Dollibashit me shtëpi të ia themi, me dolli e sini. Këjo shëndete është e nipit, jetë të lumtur. Dhe e ktheu gotën. Por dollibashi e kapi gabimin…

Z… diçka ka sot. Nuk po ndjek rregullin e rakisë dhe të dollisë. Piu dollinë pa marrë lejen e dollibashit.

-Pa mbushia edhe një herë, për xheza, i tha dollibashi… Dhe gota e Z… u mbush përsëri.

Miqtë ia nisën këngës…

Z… bëri përsëri urimet, sikurse më parë dhe para se t’a kthente gotën, iu drejtua dollibashit:

-Dhe tani, dollibash, urdhërin, ku më dërgon. Bjeri Qemal Tahirit, i tha rëndë rëndë, dollibashi. M… iu drejtua Qemalit dhe si mori urdhën nga dollibashi, gjeti Bernardin… Të gjithë pinë me radhë. I fundit që mbeti për të pirë dollinë qe Mihal Selimi.

Ky si bëri urimet, iu drejtua dollibashit dhe i tha:

-Dhe tani urdhërin, ku më dërgon. Dollibashi, Guri, i vrejti të gjithë me radhë se mos i kish shpëtuar ndonjë pa pirë dollinë. Pastaj, si u sigurua, i tha:

-Urdhërin? Tek ish urdhëri.

-Të kam gjetur, Avni Skëndaj, ia priti K… Dhe Luftari, pasi e ktheu gotën K…, mbushi një gotë dhe tha:

-Po e pi për shëndetin e nipit. Dhe e ktheu gotën. Të gjithë pinë nga një gotë plot.

Si kaluan disa çaste, Luftari iu drejtua S… E kish gjetur të parin dhe tani donte t’i dorëzonte pallën e dollibashit. E mbushi gotën dhe para se t’a pinte i tha S…:

-Tungjatjeta, S…, po të dorëzoj një pallë që e mbajta, deri më tani. Me të të vrasësh e të presësh, por gjak të mos derdhësh. Dhe si tha kështu e ktheu gotën.

Kënga vazhdon…

Burrat këndonin: Pleqtë me feste të kuqe,/ Me fustan mbi gju hajdutçe… Si mbaroi kënga, S… nisi:

-Të kam gjetur Nazif Çela, o këngëtari briland i Lumit të Vlorës. Këjo shëndetë është e E…, Zoti të ia japë dhe të rrojë e të jetë, e në gëzime. Pastaj e ktheu gotën për gjysmë.

-Nazif, prapë tungjatjeta. Shëndetja e dytë është e Esatit… Zoti të ia japë, më shtëpi të ia themi. Pastaj e ktheu gotën dhe nisi bisedimin me miqtë… Pas pak u dëgjua zëri i Nazifit. Ky i tha:

-Mirse më gjete S…, këjo shëndetë është e Esatit, nderi i zotërisë s’ate, Zoti të ia japë dhe me gëzime të ia themi. Dhe e ktheu gotën. Pak me pas tha, përsëri: Prapë tungjatjeta! Shëndeti i dytë është i nipit…, nderi i zotërisë s’ate. Me gëzime të ia themi, me doli e sini. Dhe tani, urdhërin?

-Bjeri Astrit Balili, i tha S…

-Të kam gjetur Astrit, i tha S… Me dy shëndete e shumë kismete dhe me urdhërin e dollibashit. Pastaj e ktheu gotën si i tregoi Astritit se të kujt ishin shëndetet. S… bëri si bëri radhën e parë. Dhe kur i tha të dy shëndetet, kërkoi lejen e dollibashit, kë të gjente. Gjeti Sadik Hodaj. Sadiku gjeti Xhezmi Hyseni. Xhemziu tjetrin. Dhe kështu me radhë.

Por, dollibashi e dërgoi Xhemziun tek Fatoshi. Fatoshi e kish pirë një herë dollinë. E gjeti përsëri. E piu prap dollinë, dhe sa që e piu, miqtë ia nisnë këngës: Dollibash, o dollibash…

Dollia me gjashtë shëndete…

Vazhdon dollia dhe kënga: O Kurveleshi me derte, Qysh duron për ato lezete? Dolli dhe këngë: Shokë, ç’më ka marrë malli,/ Ku gjendet Smail Qemali?

-Iu lumtë gojë e u këndoftë zemëra, Esat Malaj.

U treguan histori për Ismail Qemalin, mbi ngritjen e Flamurit. Ka qenë atje, edhe ay, kur u ngreh Flamuri, mjaft nga Lumi i Vlorës. Dhe pika loti i derdhën nga sytë, kur kujton atë ngjarje të mallëngjyeshme. Të gjithë preken dhe dëgjojnë me kujdes kallëzimet e Esatit…

Dollia tani vazhdon me pesë shëndete plot e plot. I erdhi radha që Avni Skëndaj të bëhet dollibashi i pestë. Ky tani po e ngrehu dollinë, do t’a ngrehë me gjashtë shëndete. Por Metlliu diçka iu kërkon miqve:

-Miq, a i japim fund duke ngrënë pak bukë, apo vazhdojmë… Dhe dollia u ngrit nga me gjashtë shëndete… Në dhomë oshëtiu kënga: Birbilenjtë tremëdhjetë, vanë në litare vetë… Dollibashi kërkon të shtrohej buka. Të gjithë qenë të një mendimi me të.

Esat Malaj ju tha miqve:

-Ju falem nderit dhe me shtëpi Tuaj! Pastaj mori një gotë dhe si e mbushi plot, para se t’a kthente iu tha:

-Edhe në shtëpi Tuaj! Pastaj u shtrua buka. E pasur, plot me gjellëra të çdo lloj. Nuk mungonte edhe qumështi i dallandyshes. Esat Malaj e kish djegur fare.

-Gëzuar dhe të bëhet trim, thanë të gjithë një zëri, para se të fillonin të hanin.

-Ju falem nderit dhe edhe me shtëpi Tuaj, ua priti Esat Malaj. Pas buke u suall kafja. Kush e piu pa sheqer, kush me pak, e kush me shumë. Si e kërkoi secili. Pastaj u fol mbi dollinë si shkoi.

Kish shkuar për shtatë qejfe me pak përjashtime të atyre që u dejtën dhe gabuan, në pirjen e dollisë. Por këta nuk i shpëtuan ndëshkimeve që kërkon rregulli i dollisë. Pastaj vazhdoi dhe ca kënga…

Dhe kështu u mbyll një dolli për urim… kujtuam kohën e mirësisë dhe të dollisë në Labëri një ditë në Brataj, me bujarinë e tyre, miqtë gëzuan dhe kënduan një ditë ndryshe… dollia dhe kënga u përcuall në male e në fusha, ajo mbriti në familjet e miqve të Esat Malaj, kudo në Shqipëri… dhe më tej në Kanada e SHBA…

Dollia shqiptare është një tjetër shenjë e qytetërimit të lashtë. Dollia është ajo që i bashkon njerëzit edhe në gëzime (lufta i bashkon në rrezik). Bashkimi në rrezik është instiktiv (për ruajtjen e jetës dhe mbijetesë). Bashkimi në gëzime tregon nivel civilizimi. Dollia ka qenë një nga “institucionet” e hershme të bashkimit, kuvendit, respektit dhe vendimmarjes me vullnet të lirë. Prandaj ka lindur tek njerëzit e lirë dhe vetëm ata mund ta trashëgojnë. Dollia është folklor, traditë, respekt, sociologji e politikë …