Donte-Vaso Papaj


Çdo mëngjes tek i zbres shkallës,

Fqinjë e re më mund me ngutje.

Vrap oborrit dhe mëhallës,

Ca dyshime vijnë – shkojnë tutje.

Kyç fëmijët. Ç’t’i bëjë orarit!?

Pas i shkojnë përherë ca fjalë.

Pret një Benz buzë trotuarit.

Vallë kjo grua është “e përdalë”?…

Ndaj sa herë zbriste me ngutje,

Zotit për të i bëja lutje:

Të kish forcën dhe vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të urrente.

Jetën kush të mos ia brente.

Atje lart qiell i mëngjesit,

Një qeleshe plot me ujë.

Ajo turrej mes rrebeshit,

Lart e poshtë e s’bënte bujë.

Donte shumë të kishte forcën,

Donte shumë të kish vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të shpërthente.

Gjendjen ku kish rënë t’urrente.

Edhe trupin do ta shiste.

Do të tretej me rrëmetin.

Që fëmijët e saj t’i rriste,

Gjer me këmbë do t’mirrte detin.

Donte shumë të kishte forcën,

Donte shumë të kish vullnetin:

Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte

Dhe të ndjente, të shpërthente, të pëlqente, të urrente.

Fëmijëve qeshjen t’ua gjente.