Dr. Nikollë Loka-Në cilat kushte u lejua përkohësisht veprimtaria e shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip në Stamboll


Dr. Nikollë Loka

Në cilat kushte u lejua përkohësisht veprimtaria e shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip në Stamboll
Dr. Nikollë Loka
Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, gjatë Rilindjes, e veçanërisht pas krijimit të “Lidhjes së Prizrenit” u bënë përpjekje për të krijuar një shoqëri kulturore shqiptare. Intelektualë patriotë nga të gjitha trevat shqiptare, u mblodhën në Stamboll, më 12 tetor 1879 dhe themeluan një shoqëri kulturore të njohur si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, e njohur ndryshe si “Shoqëria e Stambollit”. Formimi i Shoqërisë u bë në kushtet kur Perandoria Osmane nuk i lejonte shkollat shqipe, pavarësisht se me dekretin perandorak (Hatt-i-Humayun të vitit 1856) “të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim”. Nga ana tjetër, përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke, sllave etj. e bënte të domosdoshëm arsimimin në shqip, për t’i ruajtur shqiptarët nga asimilimi kulturor dhe etnik që u kanosej(Historia e Popullit Shqiptar, II, 2002: 247).
Me qëllim që të bashkoheshin lehtësisht dhe të mos kishin asnjë problem nga qeveria turke, themeluesit e Shoqërisë i kishin kërkuar Vezirit të Madh Ali Pashës leje për veprimtarinë e grupit. Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”(Shabani, 2017:40). Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar ndaj kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, ndoshta të shkruara me shkronja arabe nga Daut Boriçi, të shtypeshin dhe të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët(Gençoğlu, 4922). Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore (Somel, 1997: 452, 453).
Për të kundërshtuar veprimet e ethëshme greke për greqizimin e shqiptarëve, që ishin kërcënuese për Perandorinë, në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe(Somel, 1997: 452). Në këto rrethana duhet parë dhe veprimtaria e Shoqërisë së Letrave, e cila u rrit brenda kontekstit të eksperimentit kushtetues të viteve 1876-1878(Mitrojorgji, 2016:41). Por, pas abrogimit të kushtetutës nga Abdülhamit II, në shkurt të vitit 1878, reforma arsimore u kthye në një sintezë të arsimit tradicional fetar dhe shkollimit më laik të periudhës së Tanzimatit. Shkollat tani morën një rëndësi më të theksuar politike dhe strategjike, dhe u konsideruan si instrumente për të frenuar kërcënimet e brendshme përçarëse dhe të jashtme kolonizuese.
Është pohuar se Porta nxori një ferman në nëntor të vitit 1879 që lejonte botimin e librave, revistave dhe teksteve shkollore shqipe me alfabetin e Stambollit. Por ky ferman nuk ishte një akt kushtetues, pasi Abdülhamit II e kishte shfuqizuar kushtetutën gati dy vjet më parë. Dekreti I Portës së Lartë, pa bazë ligjore, mund të ketë qenë thjesht një taktikë vonuese, për të qetësuar Lidhjen e Prizrenit, rezistenca e armatosur e së cilës po rezultonte e turpëronte shtetin osman. Sidoqoftë, Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqipe përfitoi plotësisht nga ligji i ri dhe ndërmori një fushatë të fuqishme botimesh që synonin të përhapnin alfabetin e Stambollit midis të gjithë shqiptarëve(Mitrojorgji, 2016:41-42). Në Stamboll, Shoqëria e Letrave botoi dy periodikë jetëshkurtër, Drita deri në vitin 1884 dhe Dituria deri në vitin 1885. Botimi i tyre u ndërpre, pasi veprimtari të tilla ranë shpejt në kundërshtim me regjimin hamidian dhe dhanë efekte që nuk I shkonin për shtat rregjimit, i cili i shpalli ato të paligjshme. Edhe Kryeministri turk Ali Pasha, shumë shpejt ndryshoi mendje dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të Komisionit, deri sa u ndalua krejt veprimtaria e tij(Shabani, 2017:40).
Në rrethanat e reja politike të krijuara pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqëria e Stambollit nuk mundi ta vazhdonte veprimtarinë e saj. Disa nga anëtarët e lanë atë veprimtari në mes, ndërsa pjesa tjetër së bashku me kryetarin e Shoqërisë Sami Frashëri e vazhduan veprimtarinë e tyre individuale në ilegalitet. Për të siguruar vijimësinë, veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit u zhvillua jashtë vendit, ku nuk kishte mundësi që të ndërhynin autoritetet osmane. Kjo situate ishte parashikuar, pasi qysh në vitin 1880, Shoqëria e Stambollit kishte dërguar në Bukuresht një nga anëtarët aktivë të saj, Jani Vreton, me mision për të krijuar një degë të shoqatës atje (Peza-Perriu, Kaceli-Demirlika, 2022: 102). Krahas synimeve për zgjerimin e veprimtarisë së Shoqërisë dhe të ndihmës financiare për të, krijimi i degës së Bukureshtit e siguronte veprimtarinë e Shoqërisë së Stambollit. Në ato kushte, lëvizja kulturore e shqiptarëve do ta kalonte qendrën e saj Bukuresht, pastaj do të përhapej dhe në Sofje, Kajro, duke i bashkuar shqiptarët drejt qëllimit të përbashkët, forcimit të vetëdijes së tyre kombëtare.