Dua ta harroj-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Dua ta harroj atë kohë të rrejshme

Kohën e fajeve pa gjykatës

Kur vraponim rrëpirave si të çmendur

Një botë me të qeshura diellore e mbanim në krahë.

Dua ta harroj atë kohë pa çmim

Kur admironim si të marrë mbrëmjeve

dritat e varura ndër degë lisi

Dhe gjithë mugullimi me ne kalamendej.

Yjet dikush na i kish zbritur në tokë

E ne ndërtonim galaktika ëndrrash në jetë

Që nuk mund t’i takonim kurrë

As për njëmijë vjet.

Dikush lehtësisht na e vetoi para syve

Një vello të përndritshme pranverore

Një telajo të bardhë e hapi rrokullim

Të derdhnim ngjyra dhe të zhugateshim

Klounë të pafajshëm, piktorë në ekzaltim.

Gjithçka do të ngjante me një trill të jetës

E fatat e lumturisë do të stisnin thurje me lule

Zogj të artë dilnin me këngë nga përrallat

Jeta po na merrte me pekule.

Dua ta harroj atë kohë

Që nuk mu nda si hije

Që më mbajti pezull si një re pranverore

E parathënë të tjerrohet fije fije.

Më mbajti si një balonë tabake e rrëzuar

Mbi majën e një plepi të gjatë

Ku veç era luan me bishtin e saj harkuar

Një shfaqje e vjetër mbetur diku larg.

Dua ta harroj kohën që nisi me vrizëm

Pastaj na lëshoi pak nga pak.