DUALIZEM
Herë herë jam, si pylli i gushtit
që trembet nga një fije shkrepse
e herë si shtrati i lumit
që i frikësohet një shiu vjeshte.
Herë herë jam, si pemë e lulëzuar
që pret me ankth ta puthin bletët
e herë si ajo era e dëshpëruar
që shkund nga degët, frutat e fletët.
Herë herë jam, si rruga e ndriçuar
dashuruar me hapa kalimtarësh
e herë si djaloshi i dashuruar
që vallëzon mbi këmbë valltarësh.
Herē herë më kaplon plogështia
dhe s’më pëlqen të hedh një hap
e herë më vërsulet mërzia
të më mbyllë vrullshëm çdo kanat.
E tillë është jeta, ngjan me një det’
herë e qetë dhe herë me dallgë.
kjo jetë, përplasje është, dualitet
herë të lumturon, herë të hap plagë…
