Duhet sfiduar jeta…Suzana Rama


Sërisht bab’, sërisht në qytetin tënd,
mbuluar nën mermer një qytet i tërë,
aty ku shpirti tërbohet dhe dhëmb,
aty ku vetëm loti shfren dhe zë vënd.

Baba xhani ndoshta s’më ke pritur,
ndoshta e ndjeve se do të jem me ty,
s’të shoh dot as për të përshëndetur,
e s’e ndal dot lotin që bën hije në sy.

A e di babi se sa shumë më mungon,
sa kam nevojë për fjalën tënde dhe sot,
malli tash sa vite për ty po më sfidon,
për zërin, përkëdhelitë që s’i gjej më dot.

Trishtohem babushi im sa herë që vij,
tek varroshi yt i heshtur, mermer i ftohtë,
sa bukur buzëqeshim të dy babë e bijë,
më ngroh foto jote që mirserdhe më thotë.

Çdo herë që vij atje tek ty babushi im,
ndihem keq, por më duhet të mos harroj,
ndaj bisedoj me ty si të barabartë të jemi,
e një kohë të gjatë me kujtimet e tua jetoj.

Kjo është jeta e më duhet ta sfidoj…