Dukagjinët, historia e tyre dhe marrëdhëniet me Kastriotët deri në mesin e shek. XV


Një nga familjet princërore shqiptare më me rëndësi në shek. XV ishte familja e Dukagjinëve. Kjo përmendet shpesh në aktet e përpjekura me shtetet e tjera, qysh më 1368 me emrin Ducagin, Ducaghin,Ducchagi, Ducchain, Ducchayn. Princ Lek Dukagjini e i ati, Pali, luajtën një rol të madh në çështjen shqiptare të asaj kohe, në periudhën kur ata ishin në krye të disa zonave në veri të vendit. Për me e kuptuar mirë rëndësinë që pati Princ Lekë Dukagjini, disa veprime të sqaruara në këtë studim, duhet me pasë parasysh historinë e familjes së tij, e sidomos të atit, Palit. Prandaj po e zhvillojmë shkurtimisht, para se të flasim drejt për drejti për këtë Princ, që ishte një rival i Skënderbeut.

Siç dihet, Shqipëria e veriut përtej Drinit, ishte nën sundimin e Serbisë në të shumtën e herës, qysh prej vitit 640. Me këtë dominim elementi shqiptar, përherë e më shumë shkoi duke humbur kombësinë dhe duke u sllavizuar, me gjithë kryengritjet që bënin herë pas heres për t’u shkëputur prej tyre, por pa dobi. Por kishin një element me njëri tjetrin që deri diku i përbashkonte, besimi i përbashkët. Serbët që në shek. VII ishin nën dëgjesë të Kishës Latine, në vitin 1288 i’u mbështetën Kishës Greke. Këtij ndërrimi, shqiptarët që ishin nën varësinë e tyre, përgjithësisht nuk e përkrahën, e u vlejti për me e mbajtur më të gjallë ndasinë ndërmjet atyre dy kombeve. Mbas vdekjes së Stefan Dushanit, Carit të Serbisë, 1355, perandoria e tij u nda në shumë dukate e principata. Një nga këto principata ishte dhe ajo e Dukagjinëve që përfshinte Lezhën e disa zona të tjera.

Më të madhen tronditje, perandorisë serbe ja dha një kryetar shqiptar i Balshajve. Ky, posa vdiq Car Dushani, bëri për vete malësorët e Mbishkodrës e mësyni Shkodrën, e mbasi nxori prej qyteti serbët që ishin të vendosur aty, së bashku me familjet e tyre, mori qeverisjen e vendit e u deklarua Dukë më veti. Për të shkëputur çdo lidhje me serbët e për të bashkuar shqiptarët, jo vetëm politikisht, por edhe fetarisht, si dhe për të fituar simpatinë e popujve katolikë, Dukë Balsha me të bijtë që ishin ortodoksë, në vitin 1368 i dërguan Papës, Urbanit të V, ipeshkvin e Shasit, për t’a lajmëruar se ishin kthyer në prehërin e Kishës Katolike me një shumësi të madhe të popullit me vete. Shqiptarët të dëshiruar për liri, mezi e pritën për t’u bashkuar me atë Dukë, e i biri, Gjergj Balsha i I, arriti për të krijuar një perandori, që përfshinte jo vetëm Gegërinë dhe Toskërinë, por dhe Çamërinë, por edhe krejt Malin e Zi, një pjesë të Dalmacisë, deri në Selanik e një pjesë të Maqedonisë.

Pengimet që i nxorrën disa Princa Shqiptarë, për të mos u bërë kjo perandori, nuk mjaftuan, e për këtë arsye, Kostandin Kastrioti, Princ i Matit e i Kastris ( Mirditës ), e Prodan Dukagjini, princ i krahinës së Lezhës, qenë përzanë prej Balshajve, duke zënë vend në Vlorë. Prodan Dukagjini, u emërua prej princit bullgar Aleksandër Komnen Asenit, vojvodë i Vlorës, e Kostandin Kastrioti, kapidan i Kaninës. Prej andej, në vitin 1368, Princ Aleksandër Komnen Aseni, Prodan Dukagjini e Kostandin Kastrioti, u përpoqën për të lidhur një aleancë me republiken e Raguzës kundra Balshajve, por nuk ia dolën. Në vitin e sipër përmendur, Princ Aleksandri, bëri një aplikim në atë republikë për t’u njohur si qytetar nderi i saj. Këtë aplikim e vërtetojnë si dëshmitarë: “Prodan Voevoda e Mikleush kapidan i Vlorës, Branillo e kapidan i Kaninës Kastriot”. Sipas Charles Hopf, ( kronikat greko – romane, – Laipzig 1842, faqe.533.) Prodan Voevoda i dokumentit të Raguzës, s’është kush tjetër, veç princ Prodan Dukagjini i I.

Përtej Gjirokastre, ku mbaronte perandoria e Balshajve, niste despotati i Nartës i qeverisur prej një familjeje shqiptare e quajtur Shpataj. Ky despotat përfshinte të gjithë Çamërinë, zgjatej për midis të Etolis e Akarnanisë, deri në zemër të Greqisë. Qysh në atë kohë e deri sa u pushtua Shqipëria prej Turqisë, Shqiptarët, të thuash mbarë ishin katolikë, ku me ritin latin, ku me ritin grek, e vetëm në Dibrën e sipërme ishin edhe Bullgarë ortodoks edhe Shqiptarë të përzier. Mbas vdekjes së Gjergj Balsha i I në veri e Gjin Bue Shpatës në jug, prej sulmeve të shteteve kufitare, shqiptarët nisën duke u dobësuar për herë e më fort. Turqit nga lindja, Serbo e Boshnjakët nga veriu, Venecjanët nga perëndimi, Franko – Napolitanët nga jugu, nuk i linin për të marrë frymë. Me gjithë këtë s’ka dyshim se Shqiptarët po të kishin vijuar të ishin të lidhur dhe bashkuar me njeri tjetrin, do të kishin qenë të zotë për t’ju bërë ballë këtyre armiqve, por krerët feudalë shqiptarë në veri e në jug, porsa u çliruan prej zgjedhes së huaj, duke pasur parasysh më fort të mirën private se të mirën e përbashkët, filluan për me u ngrehë Dukë në veti e ashtu të ndamë u shpërnda fuqija që lypej për ti bërë ballë gjithë asaj morie armiku.

Në këtë kohë Princ Prodan Dukagjini e Kostandin Kastrioti që ishin detyruar prej Balshajve në vitin 1368 për t’u arratisur, kishin rifituar pronat e veta. Se si ia bënë këta të dy të shtinin në dorë të drejtën e qeverisjes së principatave të tyre, a duke u pajtuar me Gjergj Balsha e I, mbasi ky pushtoi Vlorën në vitin 1372, apo mbasi u mund e u vra në Savre Balsha i II, a me fuqi bënë që të u’ a njihnin të drejtat që kishin mbi këto krahina, nuk dihet me siguri. Dihet vetëm se në vitin 1385 gjenden në seli të veta ku qeverisin si princa te pavarur. Shkatërrimi i plotë i Shqipërisë ndodhi kur Balsha i III, i fundmi i kësaj dinastie, mbasi mundi Evrenos Pashën në vitin 1410, u ngatërrua me republikën e Venedikut, e cila i deklaroi luftë, e u vu kështu në mes të dy zjarreve, qe mundur edhe vdiq në vitin 1422, mbasi kishte humbur krejt mbretërinë. Venediku pushtoi limanet e detit, e Turku hyni deri në zemer të Shqipërisë. E ky pushtim ndodhi për shkak të pabashkimit të princave shqiptarë.

Familja e Dukagjinëve që u përmend më sipër, del për herë të në vitin 1368 kur një pjesëtar i saj përmendet si vojvodë në Vlorë. Qysh prej atëhere kjo familje përmendet përherë për shqipëtarë, e për si vërtetohet prej arkivave të Venedikut, qendra e qeverisjes së tyre ishte për herë të parë Lezha e më vonë Kosova deri në kufi me Serbinë. Mbiemrin Dukagjin ka gjasa ta kenë marrë nga ndonjë vend me atë emër, a ndonjë kryefisi të tyre të quajtur Dukë, a prej të parit të asaj familje që doli Dukë më veti me emrin Gjin. Kjo familje princërore Shqiptare nga mbarimi i shek. XIV kishte filluar me rënë, e ishte detyruar për t’i shitur disa të drejta të veta nga lezha, republikës së Venedikut. Në vitin 1393, Princ Progon Dukagjini me të vëllain Tanushin e gjithë rrethin e tyre familjar i dorëzojnë Venedikut qytetin e Lezhës me gjithë fshatrat përreth tij. Nga ky dorëzim, marrëveshja ishte që familja Dukagjini, të përfitonte disa të ardhura nga taksat vendore, plus kishte të drejtën që të mbante 5 shtëpi brenda sundimit të asaj republike. Në vitin 1403, republika e Venedikut i falë Princ Gjergj Dukagjinit, fshatrat e Baladrini dhe Kakarriq.

Në krye të dinastisë princërore të Dukagjinëve në vitin 1406, qeverisjen e saj e merr Pal Dukagjini, i ati i Lek Dukagjinit, njeriu më i zoti i dhe më i shquari i asaj dinastie. Ishte nje princ që ishte i pajisur me të gjitha vetitë e duhura njerëzore dhe drejtuese. Arriti që të zgjeronte kufijtë dhe të krijonte një principatë të madhe. Ulpjana ( Prizreni) ku kishte selinë e tij, në kohën kur mori drejtimin e principatës, ishte një kështjellë e vogël e banuar nga njëmijë e pesëqind banorë përreth saj, por me mënyrën e bukur të qeverisjes së tij arriti që ta mbushë me banorë këtë vend, e u bë një nga qytetet më të pasura dhe të populluara të Shqipërisë së atëhershme, me pesëmbëdhjetë mijë banorë.

Porsa erdhi Skënderbeu, dhe rifitoi shtetin atnor, Pal Dukagjini e mbështeti me të gjithë fuqinë e tij. Zelli dhe përkushtimi i tij u pa hapur qysh në mbledhje e parë të përgjithshme që u bë me të gjithë princat shqiptarë me 2 mars 1444. Pal Dukagjini që ishte një nga princat më të shquar të Shqipërisë, jo vetëm për madhësi të shtetit se sa për zellin që tregonte përherë për interes të besimit, me rëndësinë e vet dhe reputacionin që kishte, qe një shkaktar i fortë i lidhjes. Ky, mbasi zgjodhën Skënderbeun si Kapidan i përgjithshëm të ushtrive aleate, propozoi me shënuar secili numrin e ushtarëve që detyroheshin për t’i dërguar atij, në mësymjen ndaj ushtrive turke. Në të parën luftë që u bë pas kësaj mbledhjeje, që ishte ajo e Torviollit, ndër princa të tjerë edhe Pal Dukagjini, dërgoi një ndihmë të mirë ushtarake nën komandë të Marin Igrakës, i cili u vra në atë luftë së bashku me komandantë të tjerë të ushtrisë aleate.

Pas fitores së betejës së Torviollit, Vladislau mbreti i Maxharris e i Polonisë, i çoi Skënderbeut letër për t’i shkuar në ndihmë së bashku me princa të tjerë, kundër armikut të përbashkët. Skënderbeu, pa vonesë mblodhi këshillin, e mbas disa bisedimesh pro e kundra, me përkrahjen e Pal Dukagjinit, bindi krerët shqiptarë ta ndihmojnë Vladislaun me një ushtri prej 30 000 vetësh. Por ky vendim nuk u realizua, sepse Pal Dukagjini duke u kthyer në shtëpinë e tij u sëmur keqas ( dhe nuk e mori më shëndetin e mëparshëm) e i biri i tij Leka, refuzoi të çonte ushtri. Me këtë refuzim u bënë edhe Kont Vrana e Tanush Topia, pasi ishin kundra asaj ekspedite, e Skënderbeut iu desh kohë që të bashkonte ushtrinë e nevojshme që mos t’i dilte fjale Vladislaut. U vonua dhe nga pengesat që i nxorri Gjergj Vukoviqi, Despoti i Serbisë, e pa mundur që të arrinte në vendin e dëshiruar, mori vesh se lufta kishte mbaruar në dëm të krishtërimit.

Qysh me këtë të parin akt të qeverimit, Leka, fillon e i bën lak bashkëpunimit me Skënderbeun. Arsyeja e rivalitetit të këtij Princi me Skënderbeun, mund të shpjegohet lehtas. Duke qenë ky një natyrë krejt ndryshe nga i ati, krenar, egoist, i pabesë, mizor dhe qeveritar i një rajoni në mos më i madh, së paku sa i Skëndërbeut, i dukej poshtërim me pasë një princ mbi veten e tij. Prandaj megjithëse nuk e pa me gjasë me u kap drejt për së drejti më të, i nxorri mjaft ngatërresa dhe probleme, sa asnjë princ tjeter shqiptar. Ndër ngatërresat e para të këtij princi, prej së cilës ndodhën tri të zeza: Lufta me Venedikun, disfata e Beratit, e tradhtija e Moisi Golemit në vitin 1445.

Në këtë vit u martua Mamica, motra më e vogël e Skënderbeut, e në këtë dasëm shkuan një numër i madh princash shqiptarë. Dasma zgjati disa ditë, dhe gjithë ai gëzim u kthye në vajtim, pasi Lek Dukagjini dhe Lekë Zaharia shiheshin me armiqësi me njëri tjetrin, sepse rivalizonin të dy për tu fejuar me Irenën, vajzën dhe trashëgimtaren e vetme të Gjergj Dushmanit, princit të Zadrimës, që ishte e pranishme. Aty, në atë dasëm këta dy princa u përleshen së bashku me ushtritë e tyre, sa e kthyen dasmën në një shesh beteje. Lek Dukagjini u plagos rëndë, dhe ndërhyrja e princave të tjerë bëri që të shpërndahej përleshja. Edhe në gojëdhëna popullore ka mbetur një fragment i armiqësisë së këtyre dy princave. Një frazë popullore është: “ Më mire të thuhet, hiku Leka, se mbet Leka”, a si i thonë në Zadrimë: “ Ma mirë hika e Lekës, se dita e dekës”. Skënderbeu nuk ishte aty kur ndodhi përleshja, dhe kur e mori vesh, erdhi me nxitim, e u mundua që ti pajtonte, por hasi në kundërshtinë e Zaharis, sepse ky duke qenë i siqertë e nuk i dilte fjalëve, e tregonte hapur hidhërimin e tij prej rrengjeve që kishte pasur prej tij, kurse tjetri që ishte zemërzi, sherr e tinzar, fshihte mjetin e keq te vetin, e u mundonte me fjalë të mira të pajtohej, që më vonë të realizonte atë që bëri, duke i vënë vetes dangën e një tradhtari të poshtër.

Pal Dukagjini, i ati i Lekës, vdiq nga fundi i viti 1446, mbasi pati qeverisur principatën e tij për nja 40 vjetë. Vdekja e tij e hidhëroi shumë Skëndërbeun, sa vetë thotë se po të kishte Shqipnia, më shumë princa të zotë e zemërmirë si Pal Dukagjini, kishte për t’u bërë vendi më i lulëzueshëm i botës.

Marrë me shkurtime nga: Hylli i Dritës, shkruar nga P. Marin Sirdani, Korrik, Gusht, 1932.

Lin Kiku

 

 

 

About Post Author