Duke komentuar këngën zagorite…


Duke komentuar këngën zagorite…

Në faqen e revistës: Kulturore artistike nga Zig Zak magazinë –qendër kulturore Libohovë është komentuar në mënyrë shkencore kënga e bukur zagorite. Këtë shkrim po e botojmë të plotë  .

Kur isha fëmijë, nëpër dasma apo festime të tjera, zgjatja kokën te dera, sidomos nga dhoma e burrave dhe dëgjoja këngët që vinin një pas një. Sidomos, prisja të dëgjoja ndonjë këngë që më kishte bërë përshtypje në raste paraardhëse e i mbaja mend. Dija edhe personat. Kush merr këtë e kush merr atë këngë. Më zgjonin interes veçanërisht disa fragmente këngësh tepër burrërore që marrësit i interpretonin nën efektet e alkoolit me lëvizje e plastikë të admirueshme si p.sh. “…Tej e n’atë brinjë/ plasi një martinë…”etj.etj. Këngët e grave, të cilat kishin mbase vlera më të mira, një pjesë e të cilave ishin improvizime të çastit e që shoqëroheshin shpesh edhe me lot, jo nga marrësja, por nga të pranishmit, filluan të bëhen tërheqëse më vonë, pas disa vitesh. Burrat e nisnin zakonisht festën me këngë politike, për Stalinin, për Enverin, për Moskën socialiste etj. Me pas vinin këngët lirike si “Më zu vesa në lëndinë”,”Bilbili në mal këndon”e plot të tjera si këto. Përkundrazi , në dhomën e grave të gjitha këngët ishin lirike apo që lidheshin organikisht me festën ose ‘sebepin”, siç jemi mësuar ta quajmë. Me kalimin e viteve, pa qenë aktiv në raste të tilla, m’u krijua një interesim për subjektin e këngëve që dëgjoja, për mënyrën se si ato ishin ndërtuar dhe sidomos më tërhiqnin këngët që i dëgjoja për herë të parë. Vargje të tilla si “Kush bëri sebep pamporë /, Frëngu me mëndje të hollë/…”më shpinte në udhëtimet disa mujore të kurbetllinjve për në Amerikë. I gëzoheshin faktit që një “pampor” gjigand, mblidhte kushedi sa mijëra, pa u bërë fare kuriozë për markën. Marka ishte “frëngu”, që përfaqësonte gjithë mendjen dhe qytetërimin perëndimor. Është e sigurt që kënga është krijuar nga ndonjë grup që udhëtonte për herë të parë në një vapor kaq të madh. Mund të kishin dëgjuar p.sh. që vapori kishte kapacitet 80 000 kv. dhe thonë më poshtë: “pampor tetëdhjetë mijë/ tetëdhjetë miliunë, /fluturon si zog mbi ujë!/ Nuk kishte rëndësi më tej sa merrte me saktësi; rëndësi kishte që vapori i merrte të gjithë e fluturonte si zog mbi ujë…Në det mund të jetë kënduar për herë të parë, ndoshta kur niseshin nga Patra për në Amerikë. Ka mundësi që të jetë kënduar e krijuar ditën e parë të nisjes, se më pas, udhëtimi me javë e me muaj e humbet entuziazmin e bëhet i mërzitshëm…Pastaj, me kthimin e kurbetlinjve erdhi dhe kënga këtu…

LIVING ËATER!

DOLI UJI I JETËS

VLERA E SË VËRTETËS

Kur dëgjova për herë të parë këngën “Dole ti dielli leu/ më bëri përshtypje jo vetëm cilësia e saj, por edhe brendia, subjekti. Kënga vazhdonte:…’doli sorkadhja nga dheu/, vallja jote ç’më pëlqeu/…Krahasimet dhe thjeshtësia e bëjnë atë brilante, të veçantë. Vetëm një folje jep atë që mund të duheshin dy –tre vargje për ta përshkruar. Dhe më poshtë …” Ç’ma kërcen si Mahmut beu/ Si Mahmut beu në Vlorë/ si deti që shtyn vaporrë.Po kush ishte Mahmut Beu, për më tepër kush e kishte parë që kërcente kaq bukur? M. Beu, ishte babai I I. Qemalit.Sipas gjithë mundësive, kjo këngë nuk është vlonjate. Po të ishte nga Vlora, nuk do përmendej “… në Vlorë”, pasi atje e njihnin të gjithë. Gjasa është që të jetë krijuar në Hoshtevë, pasi është e ditur miqësië e familjes së M. Beut me atë të K. Qirjaqit.Ndoshta në kremtimin e ndonjë feste familjare, të pranishëm mund të kenë qënë nga fisi I Kalloit ne Vlorë dhe aty kanë parë e u ka bërë përshtypje kërcimtari… e më pas janë krijuar vargjet e mesipërm. Kjo këngë është shumë solide. Asnjë varg s’i heq dot e as i shton dot. Si kundër ka ndodhur me shumë këngë të tjera, që në rrugë e sipër, nga një gojë në tjetrën, shtohen, përmirësohen, harrohen apo zbukurohen e lëmohen derisa arrijnë një trajtë të qëndrueshme që përballon kohën.

Që të jem realist, unë nuk kam bërë ndonjë studim të dokumentuar, apo të jem mbështetur diku. Shkrimi është thjesht i ndërtuar nga përvoja ime në Zagori, që zë fill qysh nga vitet gjashtëdhjetë. Rasti e ka prurë që të kem qënë në kremtime të ndryshme në të dhjetë fshatrat e krahinës. Këngët më interesante i kam dëgjuar nga Andon Konomi në Konckë, Jano Duri në Vithuq, Fore Shabani në Lliar pa lënë mënjanë këtu Hoshtevën ,nëpërmjet zërave të Stavri Nasit, Lliko Ndreut etj. Fillimet e kujtesës janë krejt këngë politike. Ato jo vetëm nuk kanë asnjë vlerë, por njëkohësisht janë po ato, që zëvendësuan shumë të tjera e i dërguan në humnerën e harresës. Sa për të kujtuar historinë, po përmend : “ O Stalin të ishe gjallë…” krijuar në Zhej, “ky Enveri me Partinë sa malet të rroj’…”, “Fustan vija vija, rroftë qeveria..” e plot mynxyra të tjera. Po t’ I lëmë këto e të vimë te vlerat zagorite të vërteta. Vargjet e këngës “trëndafil I bardhë, shum’ I zbukuruar, / vetë s’të kam parë po me të dëgjuar…’ I kam ndeshur për herë të parë në Lliar. Këndohej kur shkelnin për herë të parë shtëpinë e nuses. Po të kemi parasysh kohën dhe mënyrën e fejesave para mbase njëqind vjetësh vargjet tingëllojnë konkretë; realiste. Krahasimi pastaj dhe ëmbëlsia e tyre, i bëjnë ato të qëndrueshme sado vite që të kalojnë. Ose në Zhej , vargjet “…Ky zinxhiri i hollë , larë me flori,/ as na fol një fjalë si në vajzëri…/, janë siç thotë kënga, të larë, të lëmuar sikur të jenë prej qelqi… Po t’i ndryshosh qoftë edhe pak, mund të thyhen…Subjekti është i thjeshtë. i kuptueshëm. Më poshtë djali që mbase nuk ishte shprehur dot sa ishte vajza e pamartuar thotë: …”Ky zinxhir i hollë, larë me sërma,/ As na fol një fjalë, bëna një shaka..”’ Serioziteti i vajzës pas martesës, bën që nën dhimbje e pezmatim të krijohen vargje të tilla fine, me vlera artistike, me ndjeshmëri, me pakëz humor brenda në dhimbje e me nënkuptime të lexueshme, që kënga të jetë një perlë e vërtetë.

Pasi vitet kalonin, erdhi dhe koha e Festivaleve të mëdha.Qysh në festivalin e parë, Zagoria mori pjesë me këngë “Shokë vij në festival…”. Si kundër dihet, kënga u krijua fillimisht në Zhej. Pastaj u perpunua në zone dhe ju dha Hoshtevës, si arësye e marrësit Stavri Nasi, I cili kishte aftësi interpretuase të pa zëvëndësueshme. Bashkë me të u futën dhe pjestarë të tjerë nga ky fshat , me perjashtim të kthysit që mbeti nga Zheji. Kështu u formua I ashtuquajturi e I mirënjohuri “Grupi Karakteristik i Hoshtevës.” Përveç elementëve, nuk kishte asnjë karakteristikë nga ky fshat. Kënga bazë mbi të cilën u ngrit . ishte “Shënëndreu nja katra –pesë,/bëri Fieri një kongres…/e kënduar na ushtarë mallakastriotë në Urën Vajgurore, ku ishte me shërbim edhe Ll. Ndreu. Nëpërmjet tij , kënga erdhi e plotë në Hoshtevë , ku fitoi dhe “pasaportizimin’…Kjo këndohej aq mirë , sa që edhe “origjinali” e kishte zili e s’mund të pretendonin asgjë. Hulumtuesit ishin dorëzuar para propagandës…Me vargjet “… Lajmi tjetër botën tundi,/ shokë foli Mao Ce Duni.”./, kënga u fut plotësisht në ingranazhet e propagandës. Bile u bë ingranazh vetë. Kjo ishte zanafilla që nga grupet e krahinës, kërkoheshin në vazhdim “këngë të forta”…Edhe kënga , ose më mirë grupi i së mirënjohurës “kënga e kurbetit”, që besoj është arritja më e madhe artistike e folklorit zagorit në ato vite, pushoi së qeni , pa dhënë asnjë variant tjetër në të ardhmen; as edhe kënga burimore orgjinale zagorite “Penxhere mbyllur me xhame,/ Një fytyrë e bukur del…/,nuk u interpretua prej këtij grupi panzagorit, që edhe pa marrësen kryesore, duhet thënë që mbeti i konsoliduar, i arritur. Zagoria mund të përfaqësohej vetëm me një këngë. Për aftësitë individuale të marrësit dhe ekpresivitetin e vijës melodike të vetë këngës, që i përmbushte më së miri kërkesa e politikës, si repart i pazëvendësueshëm i ministrisë së jashtme të asaj kohe , grupi i Hoshtevës i bombarduar me tekste të porositura nga aparati i propagandas me autorë të konfirmuar, ishte në skalionin e parë të të gjithë aktiviteteve që zhvilloheshin në atë kohë si përfaqësues i denjë i krahinës. Kjo vazhdoi disa vite deri sa papritur u shfaq grupi i Lliarit që ishte nga ana cilësore dhe nga aftësitë individuale më poshtë se grupi i Hoshtevës.

Po ç’rëndësi kishte kjo?! Rëndësi kishte që ai i plotësonte më së miri kërkesat politike të asaj periudhe. Ai u shfaq si përroi i Stefanaj, pas një rrebeshi vere që sillte me vete gurë, shpella, drurë e gjithëfarë mbeturinash të tjera duke filluar dhe ndaluar vetëm një herë.. në fund , kur mbaronte rrebeshi. I mbështetur në këngën “Si do ta marrësh burrin tinë”, ose, te kënga tjetër “vezirit vanë e i thanë/ Shkodra moj Elbasanë…”. Ky grup eklipsoi plotësisht grupet e tjera të Zagorisë. Shpeshherë, duke qenë se këngët e grupeve tona ishin “të forta”, brutale, të egra e të rrëmbyeshme, nuk ftoheshin në skenën e festivalit, ose në aktivitete të tjera ku kishte të huaj, por, në Koncertin e Mirëseardhjes që ishte preludi i Festivalit dhe në një farë mënyre ishte, sit ë thuash, “për përdorim të brendshëm”. Në këngët e grupeve të krahinës bëhej portreti i shumë udhëheqësve të botës lindore dhe perëndimore, gjë që nuk mund të honepsej nga mjedisi artistiko-folklorik, ku kishte të pranishëm edhe studiues nga vendet e tjera.

Nëqoftëse i përmbledhim me dy fjalë këngët që e bënë të dëgjuar Zagorinë folklorike në ato vite, do të thonim se ato ishin propagandë me rimë, ose propagandë në vargje apo trumbetim artiatik. Këtu nuk dua të fyej asnjë krijues të cilët bënë më të mirën e mundshme në kornizën e kohës. Aq e vërtetë është kjo, sa që edhe autori I këtij shkrimi, ishe i presuar në këto kallupe prej të cilave nuk mund të dilnim dot. Kjo ishte rrjedhojë e njohjes sonë të kufizuar, pasi, të themi të vërtetën, askush nuk na detyroi të shkruanim vargje të tilla që bluanin në mullirin e propagandës, as me ujë e as me erë, por duke I dredhur mokrrat me dorë, nga vetë ne autorët.

Për parantezë, para se të bëhej Festivali Folklorik i 1983, u mblodhën rreth 20 krijues nën drejtimin e kryetarit të asaj kohe, i cili në një moment, pasi hoqi syzet, i drejtohet Koço Kostës: “Bisedo ore një çikë me Ismailin (e kishte fjalën për Kadarenë), të na bëjë ndonjë këngë për grupet tona, se në fund të fundit qyteti unë do nderohet”! Unë, që isha për herë të parë bashkë me J. Telon, nuk njihja asnjë nga të pranishmit. U ngrit K. Kosta dhe i përgjigjet:” Shoku kryetar, Ismail Kadareja nuk është Petrit Lulo që t’i thuash, dil nesër të këndosh se kemi festën e grave, dhe pasnesër se kemi festën e mësuesve; Kadareja është bilbil dhe bilbili këndon kur ka qejf vetë”. E përmenda këtë episod për të treguar, jo vetëm mekanizmin e krijimit, por edhe kërkesat ndaj këngëve që kërkonte koha.

Në parapërgatitjet që bëheshin në festivalet e fshatrave dhe brenda zonës, asnjë këngë burimore e traditës, nuk e kalonte kodrën e Sinorit, pavarësisht nga vlerat që mbartte. Më kujtohet, që në një aktivitet zone, grupi i Doshnicës u paraqit me një këngë të vjetër: “Ç’u rrit borziloku/ mori penxherenë/mjeri unë i mjeri/ s’ta dita kimenë”, këngë e cila po të ishte punuar e përpunuar, do kishte shumë më tepër efekt sesa vargjet e lemerisshme që merrnin pasaportën për të dalë jashtë Zagorisë.

Është vendi për të theksuar se, duke i mëshuar tekstit propagandë, u la në harresë të plotë evoluimi që duhet të pësonte kënga në tërësi, në të gjithë elementët e saj përbërës. Ashtu siç zhvillohej jeta në të gjithë veprimtarinë e saj, edhe kënga si pjesë përbërëse e jetës shpirtërore, duhej të pësonte ndryshime në mënyrën e të kënduarit, në ritmin dhe në madhësinë e saj. Ashtu siç ndryshoi mënyra e gatimit, psh, që gradualisht u hoqën dhe po hiqen gjellët e traditës duke u zëvendësuar me sallatra gjithnjë e më shumë, ashtu si ndryshoi intensiteti i aktivitetit të përditshëm të çdo njeriu, ashtu duhet të ndryshonte edhe kënga, pasi nuk duroheshin dot vargjet e përsëritura disa herë, këngët e ashtuquajtura “bodrumçe” që hiqeshin zvarrë në mënyrë të mërzitshme e të bezdisshme. Kjo nuk ndodhi. Si pasojë, gjithë opusi i mbledhur në vite e në shekuj i folklorit të krahinës sonë, mbeti në honet e harresës, primitive në një farë mënyre për kohën që jetojmë duke mos patur një zhvillim organik. Ishte ky fryti i shpëlarjes së trurit në përmasa kolektive. Truri ishte bërë si mali i Dhëmbelit nën efektin magjik të propagandës dhjetëra vjeçare, pa përrenj, pa hone të thepisura, e pa brazda të thelluara. Askush nuk mund të thotë dot të kundërtën. Në se një do krijonte tekstin, një do t’ia merrte , një do t’ja kthente e dhjetë do mbanin iso, se kaq ishte e nevojshme për një këngë. Të tjerët ishin poshtë, në sallë, dëgjonin të emocionuar, duartrokisnin me ovacione e bërtisnin “bi…z”! se vetëm atë mund të bënin. Kjo ishte përgjegjësia kolektive që përmenda pak më lart…

Të gjithë pjesëmarrës. Na bëhej dhe bënim propagandë.

Vijon …

Akile Puleshi

About Post Author