Duke lënë pakëz vend-Ligor Stafa


Dita thotë se ka ndërmend të vizatojë

një ëndërr, që shtrihet mëkrahëzaj

për t’u prehur

një lëndinë të mbushur me sy drerësh. Thotë se do të vizatojë

edhe një prostitutë, e cila shtyn

një karrocë ngjyrë ndryshku

me një djall lakuriq brenda.

Duke tundur kokën e saj nazike,

ngaqë peneli nuk i bindet,

Dita nis të vizatojë

ca dhelpra, që sodisin botën

nga Sheshi i Piedestaleve të Hershme. Duke psherëtirë,

vizaton një fustan të bardhë, që rrëshqet mbi një xham gjigant përkrah dy këmbësh të enjtura.

Sekush i pëshpëriti në vesh se ajo po nxin realitetin,

ndaj nxiton të mbushë kanavacën

me ngjyra lumturie,

duke lënë pakëz (fare pakëz) vend

për pikëpyetjet.