Duke medituar në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës-Nga Hyqmet B Hasko


Nga Hyqmet B Hasko

Kosova, ura e pathyeshme e shqiptarisë drejt Perëndimit

Liria dita e shenjtë kur shteti i Kosovës, pas përrenjve të gjakut të derdhur dhe dorës së zgjatur të boshtit shpëtimtar perëndimor, më në krye SHBA-të, mbush dhjetë vite rrugëtim në analet e pavarësisë, në përballje me vështirësitë e rritjes dhe sfidat e gjithëfarëshme të intregrimit të plotë në bashkësinë e vendeve më të civiluara të botës sonë.

Plot një dekadë më parë u krye shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe nisi rrugëtimi i saj demokratik në hapësirat e krijuara për inicimin e një shteti të ri të shqiptarëve në Ballkan dhe të një jete të re për qytetarët e këtij populli të ndaluar, që vinte nga zgripet ekzistenciale dhe humnerat e një historie të mbushur me dhunë, genocid dhe trauma etnike.

Më 17 Shkurt 2008, Parlamenti i Kosovës shpalli me votë unanime Pavarësinë e saj, duke e futur këtë datë në agjendën e një historie të shkëlqyer, që do të përkujtohet për shqiptarët në jetë të jetëve.

Kosova është zemra e kombit shqiptar dhe ka qenë një arenë e përgjakshme lufëtrash në historinë e popullit shqiptar, në një nyje ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të Ballkanit dhe të Europës kontinentale, ku takohen Lindja me Perëndimin dhe shkrihen epokat e historisë. Në këtë tokë janë përleshur mbretër e perandori, që nga romakët, turqit, bizantët, sllavët e pansllavistët, duke u rrekur që të kapnin këtë nyje gordiane, për të dominuar në gadishullin e vjetër.

Qëndresa titanike e këtij populli martir ka shkruar një nga faqet më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, ku banorët e kësaj treve epiko-heroike të shqiptarisë, me qëndresën e tyre emblematike, arritën të ruajnë brez pas brezi traditat dhe zakonet e të parëve, kulturën e mënyrën e jetesës. Kosovën nuk e asimiluan dot as dyndjet e romakëve, as terrori osman, as kasandrat ndjellakeqe brenda vetë shqiptarisë, nga pjellat e tradhëtisë e konspiracionit, as zulma më barbare e të gjitha kohëve, zulma serbe, që pas natës së gjatë genocidiale, u thye për të mos u ngritur më kurrë në këtë tokë të njomur me gjak martirësh.

Epoka që dha më shumë heronj dhe e shndërroi tokën e Kosovës në një tokë të shenjtë heronjsh dhe martirësh të lirisë është epoka e rezistencës së organizuar të popullit shqiptar, nën drejtimin e UÇK-së, për të bllokuar makinën më të përbindëshme të krimit në Ballkan, makinën e gjakatarit Sllobodan Milloshecviçit.

Atë nuk arriti ta asimilonte vetë Roma e fuqishme, Kostandinopoja, apo Perandoria e Car Dushanit. Kjo i dedikohet faktit se në udhëkryqet më të errëta të historisë, kjo tokë e bekuar lindi korifejtë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe atë të njerëzimit.

Kjo ishte epoka e zgjimit të madh të vetëdijes më të thellë kombëtare, ku bijtë e Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë, si asnjëherë tjetër në histori, ia dolën që nën mbështetjen madhore të koalicionit antigenocidial serbo-sllav, të kombeve të lira të botës, të SHBA-së, BE-së, dhe të NATO-s, si aleanca më e fuqishme politike- ushtarake e historisë.së përbotshme, të shembnin përtokë të rrënuar agresorin serb, gjithë makinën e tij të dhunës dhe të mitologjive të stisura, të ardhacakëve të Karpateve.

Në këtë përvjetor madhor të shtetit më të ri të shqiptarëve në Evropë, ne shqiptarët kudo që ndodhemi në trojet tona etnike, ende të ndarë me kufij artificialë, i drejtojmë mirënjohjen më të thellë e më të sinqertë aleatëve tanë largpamës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë, dhe gjithë atyre vendeve që iu bashkëngjitën frontit të pathyeshëm të NATO-s dhe kontribuan për lirinë e Kosovës. Ata ende vazhdojnë të kontribuojnë për menaxhimin e paqes dhe lirisë dhe ne do t’iu jemi mirënjohës në jetë të jetëve, brez pas brezi në të gjitha kohët që do të vijnë.

Mirënjohja e shqiptarëve dhe gjithë atyre që në shpirt kanë lirinë dhe dinjitetin human shkon drejt yjeve të qëndresës së madhe, emblemave të lirisë së Kosovës martire, komandantit legjendar Adem Jasharit, që e ktheu kullën historike të Jasharëve në një instikam të pathyeshëm, duke u shuar gati një një familje e tërë, një nga familjet më të mëdha të shqiptarisë, për këto troje dardane.

Mirënjohja shkon drejt Gandit të Ballkanit, presidentit Ibrahim Rugova, drejt asaj plejade të ndritur ushtarësh të thjeshtë, që luftuan me vetëmohim dhe dhanë jetën e tyre të re, drejt komandantëve sypatrmebur, që morën vdekjen në sy dhe e vunë shpirtin e tyre qëndrestar në themelet e shtetit të ri të Kosovës.

Presidenti i madh amerikan Bill Klinton, njeriu që inicioi bombardimin e Beogradit dhe gjithë agjendën e përkrahjes së madhe të Kosovës nga boshti euroatlantik, kur vajti me të bijën në Kosovë, në një nga përvjetoërt e saj të Pavarësisë, iu drejtua të pranishmëve të tubuar për nderim të tij: “Ju e fituat luftën. Tani duhet të fitoni paqen”.

Kosova, megjithë vështirësitë e rritjes, megjithë konfliktet dhe ndasitë brendapërbrenda, të ushqyera nga korrupsioni, nepotizmi dhe partitizimi, e ka fituar paqen dhe rruga e shqiptarëve të Kosovës drejt demokracisë dhe integrimit të plotë është një rrugë tashmë e pakthyeshme.

Është fakt sinjifikativ se tashmë Kosova është një realitet i ri i shqiptarëve në Ballkan, një faktor paqeje e stabiliteti, një mundësi e zhvillimit të vrullshëm ekonomiko-shoqëror dhe e një integrimi të shpejtë të tyre në sfidat e euroatlantizmit në përgjithësi dhe ato euro-atlantike në veçanti.

Mjaft gjëra nuk kanë rrjedhur në shtratin e duhur dhe mjaft të tjera nuk janë bërë siç duhet të bëheshin, por në rrugët e rritjes pritshmëritë janë të mëdha dhe ajo që mbetet një agjendë parësore, një projekt madhor dhe një realitet tashmë i pakthyeshëm është fakti se Kosova, shteti tjetër i shqiptarëve në Gadishullin e vjetër, falë mbështetjes madhore të SHBA-ve dhe koalicionit të madh perëndimor të Lirisë dhe Progresit të Përbotshëm, tashmë është shndërruar në një urë të pathyeshme e shqiptarisë drejt Perëndimit.