Dy fjalë për romanin “Spectrum” të Eliona Gjergos-Nga Rudina Muharremi Beja


Nga Rudina Muharremi Beja

Autore e pesë romaneve, Eliona Gjergo jeton, punon dhe krijon prej shumë vitesh në Athinë. Ajo ka një stil rrëfimi që është vlerësuar shpesh nga kritika

Romani “Spectrum” i zonjës Eliona Gjergo më përfshiu menjëherë.
Që në titull ai prezantohej tronditës dhe kuptohej se me vete do të sillte një kronikë të vështirë, një temë të dhimbshme si ajo e çregullimit të spektrit të autizmit përfaqësuar nga aftësitë e kufizuara dhe jo vetëm.
Përdorimi i parë i fjalës “Autik” daton në fillim të shekullit të 20-të, rreth 1912, si një term që përshkruan një sërë simptomash që lidheshin atëherë drejtpërdrejtë me skizofreninë
Por Vetëm në vitin 1943, pas një sërë studimesh, eksperimentesh dhe vëzhgimesh për fat të mirë termi “Autik” u përdor si diagnostikues i një çrregullimi social dhe emocional, pra çrregullimit të spektrit
Autizmi është çrregullim neurobiologjik që krijon vështirësi në komunikim, ndërveprim shoqëror dhe sjellje të përsëritura

Zgjedhja e rrëfimtarit në roman, fjalët, heshtjet, sjelljet e personazheve dhe metoda e përshkrimit bëjnë të mundur që “Spectrum” të mbërrijë tek lexuesi drejt dhe qartë. E detyron këtë të fundit të vizatojë e të imagjinojë në mendje të gjithë personazhet
Fokusi i brendshëm është i shumëfishtë dhe përmes një gjuhe të pastër e të pasur prek tema delikate si ajo e familjes, problemet e padukshme të saj, por dhe mentalitetin e një shoqërie që ende lë shumë për të dëshiruar
Historia e një djali autik që sistematikisht injorohet, ofendohet nga një familje e papërgatitur, nga shoqëria e painformuar dhe nga vetë istitucionet që në këtë rast në vend që të edukojnë, inkurajojnë apo adresojnë drejt personave kopetentë, ndihen vetëm të bezdisur nga prezenca e një fëmije “ndryshe”.

Sakaq që ngjarjet marin rrjedhë, leximi i romanit bëhet gjithnjë e më interesant, aq sa, do të dëshiroje ta lexoje atë me një frymë. Në fakt kështu ndodhi. Eliona Gjergo, autorja e tij, i ka gërshetuar ngjarjet dhe personazhet aq bukur sa ka arritur të mbërrijë suksesshëm deri në faqen e fundin të tij me të fshehtën e madhe e cila si një “Matrioskë” nxjerr prej vetes shumë e shumë të tjera jo më pak intriguese.
Tek lexon ndjen ajrin të të mungojë, lëkurën të të rrënqethet dhe rrëmujën e mendimeve që si një vorbull e madhe të të tërheqë drejt një ngushtice të tmerrshme, ndërsa në fyt një lëmsh të madh zemërimi të zë frymën.
Ngjarjet e zhvilluara në kohë të ndryshme por njësoj të ngjashme për nga përmbajtja janë thelbësore për të kuptuar domethënien e veprës
Barbarizmi i disa prej personazheve dhe heshtja e disa të tjerëve na përcjell në thelbin e emocioneve, ndjenjave dhe çështjeve delikate sociale që fshihen pas fjalëve të thëna e të pathëna.
Është sjellë me një strategji të mençur që buron nga parimet të sakta pasi autorja ka zhgjedhur me kujdes të mos zgjatet në skenat që s’duhen përshkruar në detaje
Rrëfimi tragjik në vetvete krijon hartën e një kulture të munguar por dhe tablonë e një shoqërie të sunduar nga frika për t’u përballur me të vërtetat e hidhura, të një shoqërie që zgjedh të veshë petkun e një krenarie të rremë, të një fasade fallco ndërsa sistemi verbal i përdorur është i lidhur me faktorin kohë.
Aspekti teknik dhe gjuhësor përbëjnë dy shina të sigurta në të cilat narrativa do të mbërrijë e asimilueshme tek çdo lexues kurse çështjet e ndjeshme që ndoshta e kanë egzistuar që në zanafillën e popujve janë sjellë përmes thjeshtësisë së tekstit që fsheh nëntekstin tragjik.
E mençur gjetja e pyetjeve nga ana e djalit tashmë në koma që përcjellin koncepte dhe emocione të ndryshme në varësi të situatave, ngarkesa e të cilave të shtyp gjoksin me një retorikë therëse.
Është për t’u lavdëruar aftësia që ka patur autorja për të zhvendosur skenat por njëkohësisht duke qëndruar e mbërthyer në problemin fillestar që sa vjen e ndërlikohet.
Ndërgjegja e lexuesit preket, përpiqet të sprapsë për një çast ngjarjet e të çjerrë misterin por mbetet vetëm i gozhduar në narrativën që vijon të trondisë.
Tablotë pësojnë ndryshime të befta ndërkohë që përditësia trillante, e rrezikshme, fatale fsheh të dukshmen përreth asaj qenie të brishtë, fajtor për të qenurit joperfekt.
Përfshihesh aq shumë në këtë historie të trishtë sa përnjëmend dëshiron të gjesh një shteg të fshehtë e të hysh aty, por pikërisht atëherë, autorja shfaq enigmën përmes gjetjesh fenomenale. Aksidenti, koma, mjeku…
Guxon të shtjellojë përmes tyre temën e frikshme të pedofilisë dhe jo vetëm
Misteret mbivendosen dhe dhimbjet gjithashtu.

Dhuna seksuale në këtë rast maskuar nga i ati si një lojë “normale”, si diçka që ndodh në çdo familje duke shndërruar të miturin në objekt të dëshirëve të njeriut më të afërt, pikërisht atij që duhet ta ushqente, ta mbronte.
Ndoshta gjithçka fshihej në gjenezën e tij…
Imagjinata shtyn autoren të thurë komplotet e një tregimi të shpikur; Manipulimi i asaj krijese të brishtë, pavëmendësia, pakujdesia e nënës, heshtja dhe hezitimi për të besuar të vërtetën e frikshme të gjyshërve në veçanti rrëfimi i mjekut për incidentin e shtëpisë së tyre tashmë të djegur në fshat.
Të dhënat për pedofilinë janë tronditëse. Ato konfirmojnë se sa serioz është ky alarm dhe se sa milionë fëmijë janë të përfshirë në këtë fenomen
Në fakt, narrativa, e tëra në vetën e parë rrënqeth dhe muret e lartë të shtëpive pasi pikërisht brenda tyre shpesh konsumohet dhuna në të gjitha format e saj.

Koha që ikën dhe teta, numri i lidhur fjongo si për të ruajtur sekretin e madh.
Ai trup i njomë si një dre i pafuqishëm e i plagosur që nuk reagon, natyrisht nën efektin e sedativëve fshehur në gotën e përnatshme të qumështit
Një krijesë ndryshe, por jo psikopat, as budalla dhe asnjë nga ato epitetet që kishte dëgjuar për vite me radhë.
Romani nuk është një koleksion ngjarjesh të rrëmujshme, është i sistemuar tepër mirë.
Pas çdo historie ka një botë të krijuar nga imagjinata, por edhe nga teknika, stili, forma dhe vëmendje ndaj detajeve.
Ka shumë elementë që përbëjnë një tekst dhe të dish t’i njohësh ato të jep një kënaqësi të caktuar leximi.
Përdorimi i teknikave naratologjike,
i përket një ligjërimi realist me gjithë imagjinatën e rastit
Në situata të tilla nuk është e rëndësishme vetëm ajo që thuhet, por edhe se si thuhet, dhe këtë autorja Elona Gjergo e ka bërë në mënyrë të përkryer.
Prandaj pra, pa dashur t’ju zbuloj më tepër, pa dashur t’ju zbeh kureshtinë, ju ftoj të gjithëve me gjith zemër të lexoni këtë roman të vogël në dukje, por bartës i një teme, plage të madhe.
I uroj suksese në vazhdimësi Elionës dhe romanit të saj “Spectrum” udhë të mbarë drejt lexuesit!