Dy kokrra shegë-Faslli Canaj


Faslli Canaj

Kokulur qëndron një degë,

Nga mollëzat e ëmbla të diellit lëmuar,

Purpuruese fener varur, shkelin syrin

Dy kokrra shegë.

Përndezëse, verbuese nga jashtë,

U vlon nën këmishë gjaku i kuq nëpër rremba

Gishtat e hollë presin t’i këputin që të mos plasin

Venat dhe zemra.

Majë këmbësh zgjatet dielli,

Në buzë gjethen me mollëzadashurish të puth

Dega, nuse e turpshme ul kokën,

Dielli skuqet gjithë turp.

Ej, kur ta prekësh, për ta ulur, bëj kujdes

Se ka gjemba, të shpon a dhe çjerrë

Gjaku lumë, pastaj, faqemollëzave të buta

Do të rrjedh.

Ej, ti, unë prapë të them, për kërcelli mos e kap

Pa u ngritur mirë në majëkëmbë

Me gjembat majëmprehtë mollëzat të shpon

Dhembja për vdekje dhemb.

S’këputen aq lehtë ato, të ndezurat gjak,

Tek ta bëjnë me sy varur në degë

Do korra shegë.

MBI KUAJ FJALËSH KALËRO

Nëse shputat e këmbëve gjak të janë bërë

Të përpjetave gurore marrë,

Mos rri pas plagëve t’i shohësh gjak si kullojnë

Ecjen mos ndal!

Nëse shputat presat e gurëve t’i kanë grirë

Deri në kockë, kyçet ngrënë krejt

Mbështetur mbi shkopinj kërcinjsh rrugën vazhdo,

Mos u ndal, çapitu, ec!

Nëse me shpatë kërcinjtë të janë prerë

Deri lart, sipër, mbi gjunjë

Kujën mos vërë, mbi kyçet e gjunjëve si këmbë

Ec…ec…, asnjë çast mos humb!

Nëse këmbët deri në rrëzëkofshët, thellë

Gangrena t’i ka brejtur, ngrënë

Fatit mos iu dorëzo, duart për toke mbështeti

Dhe ec mbi pëllëmbë!

E, nëse, prapë ndodh duart deri në bërryla t’i sharrojnë

Me kuçedrën sharrë dhëmbëmprehtë

Edhe mbi bërryla ngritur, përsëri mos u ep

Vazhdo, ec, ec, ec…

Por nëse sharrimi të ndalur nuk ka, nuk di,

Dhe deri në supe sharrosja dhëmbëmprehtë shkon

Ti, prapë, edhe pse krejt trung mbetesh, unë them:

Ec, ec, se të ndalurën ecja s’e duron!

Dhe nëse koha-kasap shë-shë-shëëë… gjithçka kërkon ta sharrojë,

Mos harro se shpirtin, s’ka sharrë sharroku që e pret,

Ndaj hidhu përsipër reve mbi shalën e tyre të butë

Dhe hapësirave rend.

Kalëro, kalëro mbi kuaj të bardhë fjalësh,

Dhe, kalërimi mbi vithet e reve,

Do të bëj: të pavdekshëm në tokë,

Engjëll qiejve.