Dy poezi-Manushaqe Hoxha Laçi


Manushaqe Hoxha Laçi

1. TË DUA ZESHKANE

Floku yt mbi ballë

Porsi valëzim deti

Bukuroshe e rrallë

Syri në ty m’mbeti

Gjerdanin e bukur

Vendosur në gushë

Krah’lehtë si flutur

Lulëkuqe në fushë

Të ndriçon fytyra

Sa herë buzëqesh

Fustanet me ngjyra

Çdo mëngjes i vesh

Ta shikoj me ëndje

Syrin tënd t’shkruar

Për bukurinë tënde

Djegur, përvëluar

Buza jote e qeshur

Faqet ndezur prush

Diell shpirti veshur

T’adhuron gjithkush

Që kur t’kam parë

Nuk po gjej qetësi

Gjumin më ka marrë

Ujvara e flokut t’zi

Dua të të kem pranë

Çdo mbrëmje e agim

Zemrën për ta dhënë

Të bëhesh shpirti im

Eja vajzë zeshkane

Trëndafil me vesë

Për dashurinë tënde

Një jetë mund t’pres

2. BJONDINËN DASHUROJ

Gur më gur e preka malin

Në çdo gjethe e lule lëndine

Për syzezën më mori malli

Gonxhen, aromë trëndeline

Pyesja gjethen, gurin, flladin

Hidhja shikimin në kodrina

Kot u lodha kur mora malin

Ku mund t’ishte bjondina?

Vinte nata e zbardhte dita

Nëpër shtigje e në zabele

Po kërkoja dorën magjike

T’më dhuronte përkëdhelje

Hap pas hapi drejt qytetit

Ku lulëzojnë veç luledele

Seç ndriti rrezja e diellit

Ishte vajza flokë kaçurrele

•••••••••

Kërkoj syrin të shkrijë syrin

Dora-dorën ngrohtë të prekë

Shuhem e ndizem me yllin

Bëhem zjarr, bëhem ortek

Bëhem lumë, derdhem n’det

E ujvarë ku degëzon Drini

Bëhem lypës, bëhem mbret

Për aromën tënde lule blini

Bëhem valë që prek bregun

E shkumë dallge shkumëzoj

Bëhem hënë, ndiçoj shtegun

Shkëmb bëhem kur dashuroj!