Dyshimi-Preng Maca


Ishte i bindur, se ai njeri ishte dikush ,me të cilin jeta e tij ishte e lidhur. Sapo e pa,iu ndërmend njeriu dhe fytyra e tij , disi e habitur. Pse ndodhte kështu? Pikërisht tani? Kishte dy muaj ishte kthyer nga vendi perëndimor, pothuajse ishte rilindur , duke jetuar edhe njëherë aty ,ku kishte zënë fill jeta e tij, me adoleshencën e vet , me aq andralla të tjera që tani në radhë i vinin në mendjen e tij të lodhur , por çuditërisht të mundshme për të nxjerrë nga asgjëja, të tjera ndodhi e gjëra të veçanta ndodhur vite më pare, kur ai ishte thuajse fëmijë.

E kishte bindje ,një bindje të plotë, ndonëse nuk mund ta përcaktonte se kur dhe ku e kishte takuar atë njeri, se atë njeri e njihte. Ai njeri ishte dikush që kishte një lidhje me fëmijërinë e tij, por kujtesa e lodhur nuk i bindej dot përpjekjes, për të rikrijuar edhe njëherëidentitetin , se kush ishte ai njeri në fakt , ku ishte ajo lidhje në mes tyre.

Befas u ndjhe i lodhur! E la për një moment, por ai si për ironi kaloi afër tij ,shi aty ku ishte duke qëndruar, duke mbaruar kafenë e dytë. I dha gaz makinës e u zhduk rrugës për në qytetin e afërt. Iu duk, sikur sërish u ngacmua prej tij, sikur t`i kishte thënë (Të është lodhur mendja? Gjeje se kush jam , pra?)

U ndje i provokuar. Mendoj, se ndoshta gjëja më me mend e asaj paradite ishte të gjendej ,diku afër tij, derisa kujtesa të gjente mënyrën, për të riprodhuar marrëdhënien me atë njeri, pa të cilin tashmë nuk po jetonte dot i qetë. Vazhdimisht jeta e tij i dukej, se kishte diçka me atë, por jo se çfarë. E çuditshme! Kush ishte ky njeri?

U bë disa vjet dhe ky qytet kishte vetëm kuptimin e relikeve për të. Ata që nuk kishin ndryshuar ishin vetëm rrugët kryesore, që ruanin vetëm aksin e kahershëm. Në mendjen e tij ai e krijonte atë qytet ashtu ,sikundër kishte qenë dikur, kur ishin të rinj dhe ngjante, se asgjë nuk kishte kuptim pa atë qytet verior, tashmë të pushtuar ëndrrash, prej të cilit atij i dukej se nuk shpëtonte dot. Në njëfarë mënyre atij i dukej, se i kishte mbetur ora aty, nëpër ato rrugë tashmë të drejta, të rregulluar më së miri .Vazhdimisht ai mbyllte përgjysmë sytë, thuajse krijonte në mendje qytetin , sikurse kishte qenë dikur. Së fundmi personazhet e veçantë me të cilët kishte kaluar thuajse çerekun e jetës nuk kishin se si të vinin ndryshe ,veçse si ky njeri që akoma nuk po e shquante , se cila ishte lidhja me atë.

Pagoi kafen. Kamerierja një nga ato tipat e kurvickave që sillen kështu jo vetëm për bakshishe, u përkund ,ndërsa ai i numëronte lekët në dorë ,duke i lënë dhe bakshishin.

-Mirë ardhsh sërish!-u përkund ajo teksa shkëmbeu fjalën e saj, me një vështrim të pa interes të klientit.

Një copë herë e vështroi, duke rregulluar lekët në portofol ,shkëmbej një buzëqeshje hipokrite. Por asaj aq i bënte. Në tregti ndjenjat nuk janë kurrë parësore. Ndoshta etiketa është më shumë se gjithçka , jashtë shpirtit të njeriut , që ka pranuar të merret me këtë punë, jo aq të lehtë.

E hapi derën me pult dhe pas zhurmës karakteristike qe u ndje, me një lloj dembelie hyri në makinën, e cila ,si një kalë priste me padurim të gjendej mbi të. Hapi xhamin , e ndezi duke shkelur fraksionin , pastaj pasi uli frenat e dorës, dhe e lëshoi një çast rrugës së drejtë, pastaj dyshezës karakteristike, e cila me gjithë rregullimet kishte mbetur sërish dyshezë , në të njëjtën gradë .

Lëshoi një hopa të brendshme dhe u nis. Një zë i përbrenda ia kujtoi prapë atë tipin ,i cili e kishte trazuar atë paradite,që e kishte marrë me aq dëshirë, të qetë dhe pa asnjë andrallë.

-Do t`a lë -tha me vete. U nis në drejtimin për t`u larguar nga qyteti, kur tamam aty ku e kishte harruar ai i preu rrugën. Thuajse u rrëmbye sërish, prej shfaqjes së tij përpara në rrugë. Fiku makinën dhe qëndroj një copë herë pa menduar dot për asgjë. Filli i jetës thuajse mbeti në vend dhe ai nuk dinte për çfarë të mendonte më. O Zot! -tha me vete. Çfarë po ndodh me mua? Ju kujtuan vargjet e poezisë së Kadaresë-Vitet shkojnë tutje e ju tëhu.

S`është e lehtë jeta, jo. E nisi avash- avash makinën , thuajse me një gaz të lehtë ,e mori me një lloj pendese rrugën për t`u larguar tashmë nga qyteti. Ishte ngopur me të, njëkohshëm ndjente njëfarë dhembje për faktin, se po largohej tashmë. Gjendje e çuditshme. U dridh pak dhe pezhoja gati sa nuk u fik prej këmbës ,tek e prekte fare lehtë gazin. Benzinë e dobët, mendoj me vete.

Shi në at` çast, makina e njeriut të panjohur kaloi fare afër me shpejtësi. U gjend, si një mace në timon dhe nuk e kuptoi as vetë, se si u vu në ndjekje. Kush të jetë vallë? Pse më largohet? Pse nuk më kujtohet tashmë? Do ta arrij ta takoj dhe t`i kërkoj të më tregoi, kush është. Ndoshta ndonjë mik i vjetër, i harruar . Vitet në mes e kanë bërë të fshihet prej memories,e cila shpesh thuajse ngecte në mënyrë të çuditshme dhe të pashpjegueshme …

Rruga nuk ishte dhe aq e pamundur për ta bërë të mundur ndjekjen. Një çast iu duk,si një lojë pastaj mori formën e një gare me veten e tij, me egon e tij, me të kaluarën e tij, me gjithçka të tijën. Ec,ec,ec,ec,…dhe le të vdes!…

U habit dhe vetë, se si i erdhi nëpër mendje ajo fjalë. Por në fakt kurrë nuk kishte pasur një ide frike për jetën , sepse siç thoshte një njeri i famshëm ,a nuk ishte jeta dhe vdekja kryeveprat e të njëjtit mjeshtër të madh…

E pa larg në një kthesë dhe u lëshua me tërë shpejtësinëpas asaj makina.. Makinat ishin të rralla. Në përgjithësi në këtë kohë të dielat e qytetit ishin bosh, për arsye , se banorët iknin në bregun e detit, ndodhur aq pranë..Ju afrua fare afër një çast dhe pati idenë,

se do të gjendej bosh, nëse ai do të zbriste nga makina dhe do t`i thoshte-Çfarë do nga unë?-

Pastaj ai do të mendohej të sqaronte, se nuk e kishte marrë vesh as vet, se si i ishte dukur, i afërt, shumë i njohur njëkohshëm dhe donte t`a ndihmonte kujtesën ë tij, ta mësonte se kush ishte ai njeri. Deri këtu nuk kishte asgjë të keqe…Makinat thuajse fluturonin , në hijen e rrugës, prej kodrave të buta përsëritur në mënyrë të ngjashme tamam, si vepra e një piktori mediokër.

Ndjeheshin gomat ,duke fërshëllyer, si duke u ankuar asfaltit të freskët, për pengesën. Anash ishte jeshillëku i një pylli të ri lisi dhe shkurreje. Nga ana tjetër lumi, që dukej se shkonte në punë të vet, pa pasur asnjë lidhje me asgjë tjetër në këtë botë, përveç se faktit për të rrjedhur mes këtij peizazhi. Ato dy makina thuajse ishin jetimë në at` mjedis, ku rrallë kalonin makinat e rënda të rrugës që po ndërtohej tashmë.

Gomat fërshëllenin dhe ja një kthesë e fortë. U shtrëngua në timon e u peshua me trup nga ana e kthesës .Ishte krejt esëll, por se si kishte një gjendje të çuditshme, sikur po shkonte në fije të një tehu të hollë,të hollë…

E pa makinën tjetër në kthesën përtej. Një kthesë dhe do të arrinte. Do ta njihte kushdo që të ishte. Nuk mund të duronte idenë e kësaj qenie, të cilin nuk dinte ta quante me emrin e vet.

Ndjehej i lodhur. U kot një çast dhe…kur hapi sytë pa i tmerruar makinën e madhe, që kishte zënë urën të gjithën. Krejt i pashpresë, e shmangu timonin nga ana e kundërt, prej nga dëgjoi një goditje shurdhuese, një dhembje në gjoks, pastaj u ndje në ajër … Një tjetër përplasje e rëndë, sikur diku u hap një derë dhe shumë zëra e pritnin me ngutje, sikur thërrisnin: “lëshoje,lëshoje! Me kujdes!”

Pastaj ndjeu hapa që rrëshqisnin, teposhtë, buzë lumit . Pastaj ndaluan një çast dhe dikush pyeti- A e njeh ndonjëri prej jush këtë njeri?-

U dëgjua një zë i njohur tashmë-Është hera e parë që e shoh.-

Ai deshi të ngrihej dhe t`i thoshte, se ai gënjente, se ai vetë ishte i sigurt, se e kishte parë diku… Por dera, e hapur pak çaste më përpara nga u dëgjuan zërat, u mbyll me një zhurmë mbytëse të çuditshme dhe …Asgjë.

2008