Faslli Canaj
E BUKURA TURKESHË
Në avion pranë meje u ul ezmerja
Mes ballit të bukur dy sy ullinj
Nën vetullat gajtan, qerpikët erashkë
Mbi buzët e holla vesa i ndrin.
Kur sytë m’i hodhi, flakë kishin marrë
Si pllakë gracke hutimi më kapi
E pa, e ndjeu, buzët shpërtheu
E dorën e butë miqësisht më zgjati.
Nga buzët-gonxhe, turkeshë, shqiptoi.
Të flaktat buzë në grackë më zunë
E dorështrënguar lehtë pëshpërita:
“Gëzohem shumë, shqiptar jam unë!”
Avioni qiellin thithte, përpinte
Unë heshtas retë ndiqja nga lart
Ajo me sytë e prushtë më shihte
Si një mikeshë mikun në prag.
Mesnata ra, dritat u shuan
Avionin gjumi gjithë e kish zënë.
Unë i pagjumë në ekran një film
Ajo mbi sup të bukurën kokën vënë.
Të ëmblin gjumë e bën si shqerrkë
Me kokën varur në timin sup
Aroma e mirë, frymëmarrja e lehtë
Si fllad më bridhnin mua në trup.
Gjumi mbi sup gjithë natën zgjati
Sa supi ngriu, jastëk me pupla,
Përmbi oqean, dy kontinente
Dorën shtrënguar mollëzat e buta.
Reve s’u foli, qiellin s’ shikoi
Turbulenca s’deshi ta dinte në kish
Dhe unë i ngrirë, statujë, s’ lëviza
Gjumin si bijës asaj mos t’ia prish.
Udhën e gjatë të dy s’e ndjemë.
Veç stjuardesa zbritjen na tha:
Me sytë e bukur dhe një: Thank you!
Si një pulëbardhë fluturoi, u nda.
Për emër s’pyeti dhe as e pyeta
Telefon, adresë, email, jo
Pesë hapa larg ktheu kokën, dëgjova
Me buzët e prushta: Gule-gule,-ajo.
Mes njerëzve iku, fluturoi si flutur
Hapshpejt vrapova unë pas saj.
Po gonxhe buzët ëmbëlsisht shqiptuan:
Good bye…good bye… good bye.
-Good bye,- dhe unë, me dorë përshëndeta
Me sy kërkova në turmë ta ndiqja
Ajo sorkadhe shpejtonte, shpejtonte,
Dallga e flokëve nga sytë po humbisja.
Good bye-n me vete shumë ditë e mora
Një ditë këto vargje thashë të thur
Se mbase një ditë kushedi i lexon
Se kot nuk thonë: “Kurrë mos thuaj kurrë.”
Nga libri: Ah, kjo erë e vjeshtës!