E dashura ime po më bën magji-Leonard Pipa


E dashura ime po më bën magji,

Trëndafil i hënës më pickon në gji…

Mëndja shpesh më shkon të bëj prapësi,

Sa fillova natën me një gotë raki…

Buzë e saj e kuqe përvëllon si zjarri,

Sa herë unë ngjallem më vdes për së pari…

Sa fillova natën ç’desha që e nisa,

Mu ngjallën tufanet mu si qiparisa…

Buzët jo veç buzët flakërimë sa ora,

Vrrull ndizet e tëra sa e kap nga dora.

Vetullat e holla si gjethi në bisk,

Ma presin vështrimin në fije si brisk.

Ma korrin inatin e zënkës së mbrëmjes,

Livadhin e egër q’kam ndjellë mëndjes.

Sa herë si tufani në hark të guximit,

Ma heq gjithë tërbimin me bisht të vështrimit!

Më ndjell si manar…më hedh si lajthi,

Flokët pas kurizit i bien si shi!