E dua Rodonin:Vaso Papaj


E dua Rodonin
Ecim dorë më dorë,
Jemi bërë me fletë,
Djathtas mal me bore,
Majtas vetëm det.
Në majë të rrëpirës
Shtëpia me vreshta,
Duket si këpurdhë,
Kur nis e hyn’ vjeshta.
Ka si mure kodrat,
Pllaka – leshterikun,
Si dritare detin,
Perde – ren’ e kripur.
Ç’shtëpi e çuditshme,
Me tavan ullirin,
Për gardh rrjeta peshku,
Kopësht – lule blirin!…
Mbrëmja vjen pangutur,
S’pipëtin as heshtja,
Sikur kemi mbetur
Puthur që nga vjeshta.
Na merr flladi i detit,
Fluturojmë në shtigje.
Puthjet përshëndesin
Pishat nëpër brigje.
Këngë peshkatarësh,
Si nëpër legjenda.
Zogjt me vrull te peshqit
Peshqit nëpër rrjeta.
E shikojmë nga maja
Hundën detit futur.
Me dallgët e bardha,
Në përkëdhelje humbur.
Ti ngre duart lart,
Përqafon gjith’qiellin.
E fut brenda dhomës
Peshqit edhe diellin.
Eh, që kur kam lindur,
Këtë vend e dua.
Po ti lumturohesh
Se më shum’ do mua…