Edhe sot agimi pakëz lozonjar,
pa trokitur hyri portave të qiellit.
Hëna e përgjumur nis edhe largohet,
duke përshëndetur, syrin i mbyll diellit.
Dielli i penduar fshehet prapa reve,
luan lojën e vjetër “të dal, mos të dal”
dhe unë pas dritares pres shiun e vjeshtës,
nostalgji e njohur, për kujtime, mall.
Ndiej muzikën e verës që ngadalë largohet,
vëndin për ti lënë qarjeve të gjata.
Violina vjeshte tingujt shoqërojnë,
melankolisë time, thurin serenata.
Unë e dua vjeshtën dhe pse qarramane,
kur lotët i derdh qerpikëve të Shtatorit,
e dua kur zemrën e ngroh me avuj dashurie,
të mos trëmbet aspak nga acari I Dhjetorit.
E dua se perëndimet i pikturon në çdo fletë,
më magjeps kur parqeve derdh floririn e thesarit,
kur era fëshfërin gjetheve të lodhura,
aty një argjendar, zbuloi ngjyrën e arit.