E ëmbël pas vitesh-Llesh Gjoka


Aty të rinjoha, si në baladë

Po kaloje në një urë mbi brigje kujtimesh

Vitesh që kishin pikuar në një hauz të thellë

Si një shpëlarje e pamëkat.

Por ti erdhe dhe mu fanite befas

E ëmbël pas vitesh

Me thjeshtësinë fisnike të një gruaje

Me elegancën e një madone

Me hapa të sigurtë u ndale para meje

Si për të thënë, si për t’u vetëshpallur amazonë, e dashur përsëri

Me dashurinë okulte, a duhet të të besoja ty?!

Por aty, të rinjoha

Me dorë të shtrirë më tërhoqe pas vetes

Më yshte me krahëmarrje, plot naze

U qarkuam në një vend shpëtimi

Larg turmës së dallgëzuar

Në skaj të urës së vjetër që kullonte ndryshk

Edhe unë duke kapsitur sytë mendova:

Eh, sa vite kanë kaluar!

Por ti ishe e prerë, stoike

Me buzëqeshje më shkunde, petale më hodhe

Kur më the me admirim:

Sa kohë u harruam, ku ishe?!

Biseduam me gjysma fjalësh, s’po na i nxirrte gryka

U flakëruam si dikur

Vendosëm pak të rrinim,

të ngjiteshim.

Pastaj nisi pak shi

U mbuluam me mjegull

Lumit i dërguam fjalë të na zgjonte

pasi moti të ndrronte.