Me gurë të vdekur mos i ngrejmë sot muret
për të ruajtur copëzat e zemrës së vrarë
e lëmë për nesër çastin fatkorb
dhe dufin rebel që heq zvarrë…
E lëmë për nesër atë varg lotësh
zbritur buzës së plasur nën hënën e ngrënë
Pikëllimi i tyre shemb qiparisët buzëvarreve
zgjon të vdekurit që flenë…
Le të ikin hijet përkulur mbi tempuj
në vend të tyre, të mbijnë trëndafilë
E lëmë për nesër urrejtjen që fik fjalët,
e tinëz, verbon dashurinë…