E nesërmja e frikshme erdhi-Seti Pezaku Vladi


E NESËRMJA E FRIKSHME ERDHI

Heshtja lidh gojën,

lotët lidhin duart.

Që prej dy vjetësh

një tufë hijesh të egra

më vërvisin nëpër duar.

Dhoma e gjumit e pafuqishme

më rriste thonjtë pa orar,

dera e hapur ankohej

në brinjën e thyer të Adamit…

Natës

i largova errësirën…

Njerëzit

që i shpëtojnë errësirës,

shpresojnë se i kanë shpëtuar rrezikut.

E lehtësuar

mbështetesha në kurriz të vetvetes;

e lodhur dremisja në të njëjtin drejtim.

Por,

çdo e nesërme

ka të nesërmen e saj

të padukshme…,

të frikshme…,

të zezë si vetë vdekja!

Dhe ajo erdhi më 27 mars

ngarkuar me fatkeqësinë…

@Seti Pezaku Vladi

About Post Author