E pakorrigjueshme
kur isha i vogël, (aq i vogël, sa mezi e sjell ndërmend)
shihja ëndrra duke fluturuar
shpesh bie nga krevati në dysheme,
drejt e në merakun e prindërve,
në shqetësimin e tyre.
bash për këtë cilësi të veçantë, të “ metë” njëherësh,
pasi më puthnin, në mbrëmje, kur shtrihesha të flija,
më lidhnin, që të mos bija nga krevati,
ngaqë shihja ëndrra, çdo natë, duke fluturuar.
prej vitesh, akoma e kam këtë “të metë” të veçantë,
të cilën mendoj, se e mbaj të pandryshuar që kur linda.
shpesh jam rrezikuar nga ëndrrat
tashmë i shoh edhe zgjuar,
duke përshkruar botën e pafundme ,
duke fluturuar.
ka kaluar aq kohë që atëherë
nuk jeton më nëna,
babai ka vite që pushon aty pranë,
nuk kam më kujdesin e tyre për të më shpëtuar, duke më lidhur
që të mos bie, ndërsa shoh ëndrra.
por për fat a për dreq, për njëmijë arsye jam vetëlidhur,
me mijra fije të padukshme , të forta,
detyrimesh, dashurish, ardhmërish,
(të pamundura këto fije për t’u zgjidhur më.)
sapo shoh ëndrra duke fluturuar,
këto fije të çuditshme më futen në mish ,
unë sërish, jam i shpëtuar mrekullisht
të mos bie ndërsa shoh ëndrra,
duke fluturuar me sy hapur, sërish!