E përjetshme- Iliaz Bobaj

ILIAZ BOBAJ

E PËRJETSHME

Unë jam ena jote e përjetshme.

Nëse pikon gëzimi yt,

nuk mbushet kurrë.

Nëse pikon loti yt,

mbushet me një pikë të vetme.

………………………………………………………..

ÇIFTI I MOSHUAR

I shtyjnë ditët në një shtëpi të vjetër, të rrënuar,

që mbahet në këmbë nga lutjet e tyre,

për të mos u shembur përtokë.

Jetën e matin me dimra dhe e ushqejnë më varfëri.

Natës ia shuajnë terrin me një fener,

me të cilin vërtiten nëpër shtëpi,

si me një hënëz të zbehtë në duar.

Ditën dalin në oborrin e shtëpisë

dhe kundrojnë botën,

e cila jeton me ethet e kohës,

njerinë që vdes brenda njeriut,

urinë e lekut që bën kërdinë,

etjen përvëluese për pasuri.

Edhe ata ndryshojnë përditë,

e pasurojnë varfërinë e tyre me varfëri.

…………………………………………………………………….

NATYRË E DITËS

Pas diktaturës, shijojmë paqen.

E shkuara jonë,

udhëheq të ardhmen.

………………………………………………………………..

PESHKATARI ME VARKË

Djaloshi kthehej nga peshkimi,

me varkëzën e vogël,

si prej një udhëtimi të zakonshëm në det.

Ajo e dinte orarin e kthimit,

kundronte detin nga dritarja,

priste me vështrim të qetë.

Sapo varka i afrohej bregut,

rrëmbente telajon me lëndinën e ngjyrave

dhe niste vizatimin,

pa harruar,

që edhe të nesërmes t’i linte pjesë.

Një ditë pikturën e mbaroi.

Varkën me peshkatarin,

i mori nga deti,

i solli në dhomën e vet.

…………………………………………………………….

LIRIA

Ata që e duan lirinë- liri,

i bien qiellit majës e pas majës.

Të tjerëve u mjafton liria e vathës.

……………………………………………………………..