E SOTMJA ËSHTË JETË
Ah sa i dobët je, ah!
Ti nuk ke aftësi ta shohësh shpinën tënde.
Nuk ke aftësi ta dëftosh të nesërmen.
Kurse vetëm midis të djeshmes
dhe të nesërmes ka largësi të madhe,
që mendja jote s’e kap kurrë.
Hapat shpejto, shpejto pra!
Nxito në të sotmen!
Fatin kërko sot,
sepse e nesërmja është larg.
Kushedi a do ta arrish?
Ditët, javët dhe motet
nuk janë gjë tjetër,
pos vjedhës të jetës.
Të kaluarën e ke kujtim.
Të sotmen e ke jetë.
Të nesërmen e ke vetëm shpresë.
Disa flasin për të nesërmen.
E parashikojnë të ardhmen.
E joshin vetveten me premtime.
A e dini kush janë këta?
Këta janë të marrët.
Janë qorrat e jetës.
Këta gjithë jetën e kalojnë në premtime.
Dhe e vjen e nesërmja.
Një e nesërme tjetër vjen prapë.
Të nesërmet lidhen varg njëra pas tjetrës.
Ti merresh me të djeshmen.
Merresh me të nesërmen.
Të sotmen nuk e ndjen.
Sikur ajo nuk ekziston.
Po e sotmja e kujt është?
Or ti, ku e ke të sotmen?
T’i kanë mbyllur sytë me shami.
me shami injorance,
e cila të shërbehet sot.
Të sotmen ta kanë fshirë nga jeta.
Ta kanë fshirë sepse ata e dinë
se ajo është zemra e jetës.
Zemra e jetës së vërtetë.
E sotmja është tiktaku i jetës.
Është lumturia
Është dashuria.
Është vetë liria.
Ti nuk je në gjendje të kuptosh,
se të tjerët punojnë për ty.
Punojnë, punojnë,
që t’i të merresh
sa më shumë me kotësira.
Të jesh vetëm një hiç.
Këtë e duan ata.
E di ti kush janë ata?
Ata janë të pangopurit, lakmitarët.
Ata ta hanë të sotmen.
Ah, sa vështirë e ka të bëhet jetë!
Ah…
