E Vërteta për Nolin-Entela Komnino


POSTIMI XL

Vijon nga POSTIMI XXXIX

Një lëndë e jashtëzakonshme për nga vetë natyra e saj (realiteti shqiptar) pa nevojë që të aktivizohet posaçërisht ‘imagines agentes’ që parashikon retorika, ka premisat që ta bëjë realist këtë koeficient shfrytëzimi për paraprocedim krijimi në retorikë sipas reagimit normativ e filtrit të konkretësisë së apelit, çka lind nevojën të ndajmë më tej adresimin si lëndë dhe atë si krijim krahasimisht me procesin tekstual ose jashtëtekstual.

Noli ka artikuluar në kujtime duke treguar organizim sipas tipave të memories së vendit: shtëpia e babait, tempulli, katedralja, teatri dhe natyra. Nga përmendja tek ‘Autobiografia’ e deri tek reflektimet në ligjërime, por dhe drama p. sh., për teatrin, proceset e këtij organizimi, jo vetëm që dëshmohen aktivisht, por ngërthejnë një sërë procedimesh. Përmbushja e elementëve të memories dhe tregimi i tyre i mëpasshëm në kohën e kaluar në Ibrik Tepe, aq saç mund të vetëkuptohet organik në një tip shkrimi të tillë, aq ndërmjetësues në një proces për të vërtetën do të ofrohej duke u lidhur në shpjegimet e gjurmës së efekteve përkundrejt rregullshmërisë së qëllimshme të formës publicistike. Inventari i tejshtrirë i kërkesave të retorikës për vendin referon një pasqyrim të caktuar të vendkohës së Nolit, por ndërmjetëson sidomos një pjesë koeficienti sa më lart, që mund të hyjë organikisht në procedimin për ngjarjet kontingjent sipas kuptimit të Koller dhe reflektimin e tyre në tropet e krijimit.

Formulimi i një Shqipërie për ta dëshmuar e njëkohësisht sipas kërkesave të retorikës publicistike, i filluar si praktikë tek Rilindasit e tjerë, është në procedimin e Nolit një përmasë sa fizike e përftuar në terren specifik, aq retorike e përcjellë prej tij. Një raport i impostimit të tij jetësor me natyrën retorike të organizimit nxjerr koeficientin sa më lart që zbërthehet si ‘e dhënë’ fikse në Autobiografi, pavarësisht rrethanave të ndryshme.

Rrjedhur kryesisht nga fakti që jetëshkrimi është bërë në përfundim të gjithë veprës së tij, e dhëna fikse, ka korrelacione me të njëjtat raporte të shfaqura në ligjërimin e tij përmes procesesh tekstuale e jashtëtekstuale që kanë ndodhur pas Ibrik -Tepe-së.

Në një vështrim të jashtëm, sot, Shqipëria e treguar dhe treguese e asaj kohe, do ta nxirrnin ‘Pandehmën Noli’ nga ‘Pandehma – Publicistika si atdhe’ dhe ‘Retorika si jetësim konceptesh’ për të ekuilibruar mungesat përmes imagjinatës, madje mëse realiste edhe në praninë e të jashtëzakonshmes sa më lart për një thelb që duket të jetë demonstruar si sfidë; shqiptarët ‘fit e nascitur’ ngadhënjenin me ekzistencë edhe kur të tjerët (turqit, grekët) i fshi(h)nin ose (perëndimorët) nuk i shihnin. Ibrik Tepe-ja, vendlindja shqiptare e Nolit, është në përfytyrimin e shpjeguar të tij në Autobiografi,

‘…një koloni shqiptare, në jug të Adrianopojës në Thrakën

lindore, Turqia europiane…….

Vijon POSTIMI XLI