E VËRTETA PËR NOLIN
POSTIMI VI
Vijon nga postimi V
Një entitet shpjegimesh e praktikash siç është retorika, që nuk mund të mungojë më në zhvillimet e një kulture kombëtare, ngërthehet në të vërtetën për Nolin. Lëvrimi i retorikës me mundësinë tjetër, gjithashtu të munguar pas Luftës së Dytë Botërore, për të patur alternativa letërsie, shkrimi e kritike jo vetëm si liri botimi, por, përkundrejt një vizioni vlerësimi të sigurtë, i bën vend përzgjedhjes së motivuar dhe refleksioneve të drejta në një shoqëri me komunikim të emancipuar si të vërtetat reale të saj. Në kushtet e një ballafaqimi intensiv kulturash, autorë si Noli me të vërtetat e tyre vlejnë, jo vetëm për antologji e buste kombëtare, por për referenca zgjidhjesh, si ato që e kanë bërë të barasvlershëm me Shekspirin, Ibsenin, Longfelloun, Brehtin e shumë të tjerë, duke i dhënë tingëllim veprave të tyre në shqip. Formatet e hartimit të teksteve, sipas rregullash qartësisht të retorikës, nuk mund të jenë sot vetëm realiteti i admirueshëm i arritur në kohën e folësit. Ato përmbajnë praktika e skema konkrete të hartuara e ligjëruara në shqip, të cilat duhet të marrin vendin e vet, së pari të përshkruar në studimet letrare a retorike, e më tej të organizuar për referencën në sistem.
Domosdoshmëria e shqyrtimeve retorike, sidomos për autorë që vendosën standardet e shqipes, është sot më shumë se kurrë një mision për të kuptuar realitetin shqiptar e të vërtetën e tij të gjithanshme.
Kur m’u desh të përvijoja fillimin e këtij projekti, arsyet praktike të realizimit më ballafaquan me përparësitë e mbështetjes shkencore dhe financiare nga Akademia Gjermane e Shkëmbimeve Shkencore (DAAD) në kuadrin e përfshirjes në studime për gradën shkencore ‘Doktoraturë’ në Universitetin e Tiranës. Miratimi bashkë me planin e studimeve në ‘Freie Universitaet’, Berlin, (2002) ishte një mundësi në vazhdim pas studimeve dysemestrale të mbështetura po nga kjo Akademi në vitin 1994 në Universitetin ‘Karl Eberhardt’, Tuebingen, Gjermani, ku rasti bashkoi edhe faktin që ai të ishte dhe një nga dy universitetet e vetme në botë ku studimet retorike janë degë e pavarur. Personalisht, ambientimi me alternativat dhe mënyrat e reja të kuptimit të krijimit dhe sidomos të marrëdhënies së tyre me realitetin mediatik, nuk ishte diçka krejtësisht e pandeshur, por impostimi i përqëndruar në retorikë, solli efekte të reja në këndvështrimin e zbulimit dhe gjetjeve.
Vijon në POSTIMI VII