E VËRTETA PËR NOLIN
POSTIMI IX
Vijon nga POSTIMI VIII
2. retorika dhe publicistika së bashku hyjnë në marrëdhënie dhe me letërsinë
në rrafshin tonë të shqyrtimit. Transferimi i figurave retorike në letërsi dhe, si derivat, edhe në shkencën e saj, janë një fakt i hershëm, por aktualisht kontribuues përkundrejt natyrës së një shqyrtimi si ky.
Së pari, publicistika e Nolit është demonstruar me tingëllime të ndjeshme letrare në të njëjtën kohë që njihet mundësia e shpjegimit të tyre me fakte si valenca artistike sipas funksionit ornatik që retorika i njeh tropeve dhe me të cilin ‘ato janë bazamenti i esteticitetit të teksteve’ .
Së dyti, vetë publicistika ka qenë pikë takimi e rregullt dhe shpesh e pashkëputur me letërsinë në kohën e ‘premierës’ së Nolit në organet periodike në shqip, që duke mos arritur dot të jenë të përditshme ose të shpeshta, kanë funksionuar më së shumti mbi konceptime dhe praktika fiksionale se informative.
Së treti, metoda shkencore letrare që mund të bashkërenditen me ato retorike siç janë ato të mbështetura në kritikën e re letrare , bëjnë një përfshirje në analizën letrare edhe të teksteve jofiksionale, ku hyjnë ato publicistike.
Pikëtakimi teorik e praktik i letërsisë me publicistikën në kulturën shqiptare të kohës lidh po ashtu, teorikisht e praktikisht, në shqyrtime e analiza, retorikën me letërsinë përmes pranimit përfshirës të teksteve jofiksionale për analizë edhe nga letërsia.
Vijon në POSTIMI X