Avni Dehari
E dashur si nëna,
Si rrezja e diellit e ngrohtë,
Si shiu i verës për bimën,
Si oaza në shkretëtirë,
Si drita e syve në jetë,
Je ti e vërtetë.
Sa e afërt, aq e largët,
Sa e dashur, aq e egër,
Sa e ëmbël, aq e hidhur,
E vërtetë, shpatë me dy tehe,
Armiqtë pret, naivët godet,
E vërtetë, parzmore e drejtësisë,
E vërtetë, busull e njerëzisë,
E vërtetë, simotër e lirisë.
Ata që për vdekje t’u sulën,
Faqen e zezë fituan,
Nën shpatën tënde ranë.
Pas hirit tënd
Plot u magjepsën,
Në shtegtime ranë,
Se rrugë të vështirë patën:
Plot gurë e cungje,
Dhëmbë ujqish,
Prita burracakësh,
Kurthe tinëzarësh,
Shtigje shpifarakësh,
Shpata tiranësh.
Gotat me ty i cakërruan
Vetëm ata që viktima dhanë,
Ata që nëpër tehun e shpatës
Për te ti rrugën e bënë.
E vërtetë, shpatë me dy tehe,
Greminë e padrejtësisë,
Titulli i mirësisë.
E vërtetë, rreze jete,
Busull e njerëzisë,
E vërtetë, simotër e lirisë.
Bernë, 24 janar 1993